Maqedoni
Çair, fillojnë punimet për kanalizimin atmosferik
29.06.2016 13:55
Kanë filluar punimet për kanalizimin atmosferik në rrugët Xhon Kenedi dhe Kemal Ataturk në Çair...

Kanalizimi me gjatësi prej 8000 metrave do të ketë tuba me profil të madh prej 1200 milimetrave, të cilat do të përfundojnë tek puseta lidhëse qendrore.
Kështu do të përfundojë një problem i madh i një pjese të banorëve të kësaj komune, të cilët sa herë binte shi detyroheshin me kova të largonin ujin nga shtëpitë e tyre, pasi kanalizimi aktual nuk kishte kapacitetin e duhur për grumbullimin e ujërave atmosferikë.
“Me ndërtimin e kanalizimit atmosferik do të përmirësohet grumbullimi i ujërave atmosferike nga kjo pjesë të Komunës së Çairit, si dhe do të mbarojë ky problem me decenie për banorët e kësaj komunë. Afati për ndërtimin e kanalizimit atmosferik është tre muaj, por nga kompania na kanë premtuar se do të përfundojë në fillim të muajit shtator”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
“Me realizimin e këtij projekti defakto ne i tejkalojmë shumë probleme serioze, që ka një pjesë të banorëve të Komunës së Çairit, sa i takon ujërave atmosferike, të cilat si rezultat i shirave gjatë vjeshtës vinte edhe deri tek mbushja e podrumeve dhe vendbanimeve përdhese. Me vazhdimin e realizimit të projektit tejkalohet një problem”,- tha kryetari i Këshillit në Komunën e Çairit, Zahir Bekteshi.
Projekti për ndërtimin e kanalizimit atmosferik në këto dy rrugët e Komunës së Çairit kap vlerën prej rreth 23 milionë denarë.
REJHANE BUSHI-METAJ
