Maqedoni

KEMM: Është koha për zgjidhje afatgjate për mediat

29.06.2016 14:05

Këshilli i Etikës së Mediave vlerëson se është koha e duhur që në Maqedoni të sillen zgjidhje afatgjata për çështjen e mediave, të cilat do ta përmirësojnë gjendjen mediatike...

Sipas KEM, që të gjendet zgjidhja e duhur, në bisedimet për median  duhet të përfshihen edhe përfaqësuesit e gazetarëve.
 
“Politikanët vazhdojnë të bisedojnë në emër të gazetarëve dhe ta mbajnë larg sektorin mediatik dhe të mos e përfshijnë atë në bisedimet për çështjen e mediave. Unë mendoj se nëse dëshirojmë të dalim nga terri mediatik dhe politik, duhet ndërprerë praktikën e gjetjes së zgjidhjeve të përkohshme, por duhet sjellë zgjidhje sistematike më afatgjate”,- deklaroi Dragan Antonovski nga KEMM.
 
Zgjidhjet e përkohshme pasqyrohen në tregun mediatik, ku vërehen shkelje të  vazhdueshme të kodeksit gazetaresk dhe joprofesionalizëm. Deri tani, në Këshillin e Etikës janë dorëzuar gjithsej 121 ankesa. 1/3 e tyre kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe përcaktimit politik, ndërsa pjesa tjetër për informim jo saktë dhe korrekt, shpifje dhe cenim të privatësisë. 
 
“Palët më të interesuara që më shpesh po ankohen janë qytetarët, organizatat joqeveritare, gazetarët dhe natyrisht edhe politikanët. Më së shpeshti bazat për dorëzimin e ankesave kanë qenë raportim jo i saktë dhe jokorrekt, veçanërisht mungesa e palës apo burimit të dytë, ndërsa shumë shpesh kemi miratuar vendime për shkak të faktit se një pjesë e madhe e mediave i përziejnë lajmin me komentin, gjë që bëhet me vetëdije dhe qëllime të caktuara. Gjithashtu një pjesë e madhe e subjekteve ankohen nga prania e gjuhës së urrejtjes”,- tha Sefer Tahiri nga KEMM.
 
Sipas ankesave që kanë arritur në Këshillin e Etikës, shkelësit e vazhdueshëm të  kodeksit gazetaresk janë: TV Sitel, media on-line 24 press dhe gazeta e përditshme Vest. Kjo e fundit, madje, ironizoi në kulm fjalimin në shqip të  prokurores speciale, Fatime Fetai, të cilin e vlerësoi si “torturë në shqip”, duke e akuzuar se po zyrtarizon në Maqedoni gjuhën e një shteti tjetër.
 
REXHEP QAMILI