Maqedoni
Svoboda: KE reagoi me vonesë për Maqedoninë
29.06.2016 14:58
Eurodeputeti austriak, Hanes Svoboda, në një intervistë për “European Western Ballkans” ka theksuar se Komisioni Evropian....

Eurodeputeti austriak, Hanes Svoboda, në një intervistë për “European Western Ballkans” ka theksuar se Komisioni Evropian nuk ka reaguar në kohë në lidhje me aktualitetin dhe krizën politike në Maqedoni që po mbizotëron një kohë të gjatë.
Sipas Svobodës, liria e mediave dhe shprehja e lirë në një shtet është baza e demokracisë. Secili shtet që ka aspirata për anëtarësim në strukturat euroatlantike, primare duhet ta ketë që liria e mediave të jetë në piedestalin më të lartë.
“Mendoj se liria e mediave është element thelbësor i demokracisë dhe patjetër duhet të respektohet në BE. Ajo është bazë për të gjitha kërkesat e vendeve aspiruese për anëtarësim në BE. Liria e mediave është vetëm një element i zhvillimit të përkeqësuar në Maqedoni. Komisioni Europian reagoi tepër vonë, ndërkaq shumë pak për zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni. Ajo është arsyeja që përsëri dhe përsëri ashpër shkelen të drejtat mediatike dhe bazat parlamentare”,- ka theksuar mes tjerash Svoboda.
Në lidhje me krizën politike, ai thotë se përveç Brukselit, edhe vendet tjera anëtare të BE-së patjetër duhet të kërkojnë përmirësimin e gjendjes më të drejtat në Maqedoni.
“Jo vetëm Komisioni Europian, por edhe të gjitha vendet tjera anëtare patjetër duhet t’i respektojnë dhe aktivisht t’i përmbajnë këto kërkesa të dërguara deri te forcat politike të Maqedonisë, veçmas deri te Qeveria aktuale dhe kryetari i saj. Nga ana tjetër, Greqia duhet të jetë shumë më e dobishme në dhënien e dorës së pajtimit në lidhje me çështjen e emrit”,- ka përfunduar Svoboda.
BESIM ABDULLAI
