Maqedoni

Shilegov: Fajtor për ngecjen e bisedimeve është Gruevski; Gruevski: Të punojmë të gjithë për krizën e imponuar

29.06.2016 16:03

LSDM ka akuzuar VMRO-në si pengesën kryesore të ngecjes së bisedimeve mes përfaqësuesve të katër partive politike...

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, akuzon partinë maqedonase në pushtet se po përdor çdo metodë të mundshme për të shmangur dy detyrimet kryesore që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës, pastrimin e listës zgjedhore dhe rregullimin e mediave.
 
“Për momentin nuk po zhvillohen bisedime pikërisht për shkak të tentativave dëshpëruese të VMRO-DPMNE-së për të shmangur rregullimin e dy fushave, siç është ajo e mediave dhe pastrimi i listës zgjedhore. Jeni dëshmitarë edhe vetë se Nikolla Gruevski me bashkëpunëtorët e tij ndodhen në Bruksel “kushtimisht” për t’i rregulluar dëmet që Maqedonisë ia ka shkaktuar opozita. Por, në fakt të gjitha dëmet këtij vendi ia ka shkaktuar personalisht Nikolla Gruevski dhe askush tjetër me qeverisjen e tij kriminale, autokrate dhe diktatoriale”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Kryetari i VMRO-së, ndërkohë, pas takimit në Bruksel me eurokomisionerin, Johanes Han, ka deklaruar se Maqedonisë i nevojitet eliminim i rreziqeve të jashtme dhe të brendshme.
 
“Me krizat e jashtme nënkuptoj krizën e refugjatëve, të brendshme mendoj në krizën e imponuar. Duhet të punojmë bashkërisht, por duhet që të gjitha palët të ndihmojnë e jo vetëm VMRO”,- theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Gruevski është takuar edhe me eurodeputetë dhe përfaqësues të partive popullore europiane.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI