Spasovski: Nuk ka vullnet për pastrimin e Listës Zgjedhore

29.06.2016 16:11

Ai ka akuzuar për partizimin e institucioneve dhe për rrënimin e sistemit në shtet....

Nuk ka vullnet politik për pastrimin e Regjistrit të Zgjedhësve dhe organizimin e zgjedhjeve të drejta në Maqedoni, ka vlerësuar ish-ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

Ai ka akuzuar për partizimin e institucioneve dhe për rrënimin e sistemit në shtet.

“Okupimi i institucioneve në Maqedoni, okupimi i partizuar gjatë 10 viteve të kaluara ka treguar se është rrënuar sistemi i funksionimit të shtetit. Prandaj paraqiten problemet institucionale, ndërsa një nga problemet është mungesa e vullnetit politik , sepse vullneti politik i elitave në pushtet i VMRO-së dhe BDI-së nuk është të organizojë zgjedhje të drejta, sepse qeverisja e tyre është kthyer vetëm në shifra votash dhe parash”,- deklaroi  Oliver Spasovski nga LSDM.

Problem tjetër lidhur me pastrimin e Regjistrit Zgjedhor nga Asociacioni “Most” kanë identifikuar mungesën e sistemit të unifikuar për menaxhimin e të dhënave për të cilën shprehen se kanë ngritur alarmin me vite të tëra. Ndërsa nga “Civil” akuzuan se KShZ nuk arriti që të ngrihet mbi interes politike. 

“Problemi  i vërtetë është se nuk ekziston sistem mbi bazën e të cilit në mënyrë të unifikuar do të përpunohen dhe do t’i ruajë të dhënat për çdo qytetarë, prej ku mund të përgatitet shembull i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote”,- tha Darko Aleksov nga Asociacioni “Most”.

“KShZ nuk arriti që të ngrihet mbi interesat politike. Brenda kemi luftë midis partive, në vend se të kemi një trup profesional, i cili do të merret me Regjistrin e zgjedhësve dhe të gjitha komponentet tjera të procesit zgjedhor, i cili ndodhet në një gjendje të mjerueshme”,- theksoi Xhabir Deralla nga “Civil”.

Këto komente u zhvilluan gjatë debatit të organizuar nga klubi “Qytetarët për Maqedoni evropiane”, në temë “Pastrimi i Regjistrit të zgjedhësve-mision i pamundur”. (Naim Ramadani, TVM2)