Maqedoni

Kuvend, policia rrit kapacitetet kundër krimit të organizuar

29.06.2016 17:05

Në kuadër të Byrosë për siguri publike do të formohen edhe njësi organizative në të cilat do të kryhen detyra nga fusha e policisë kriminalistike...

Në kuadër të Byrosë për siguri publike do të formohen edhe njësi organizative në të cilat do të kryhen detyra nga fusha e policisë kriminalistike, policisë së uniformuar, punë të policisë kufitare dhe operacione të specializuara policore. Këto njësi do të shërbejnë për nevojat e sektorëve për punë të brendshme dhe qendrave rajonale për punë kufitare.  
 
Kuvendi miratoi ndryshimet e Ligjit për polici, pa debat dhe në procedurë të shkurtër. Sipas qeverisë, këto ndryshime bëhen për zbatim ekonomik dhe të specializuar të detyrave policore dhe për të rrumbullakuar reformat shumëvjeçare në polici. 
 
Në vazhdimin e dytë të seancës 107, kuvendi miratoi edhe ndryshimet e Ligjit punë të brendshme, ndryshimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, ndryshimet e Ligjit për sigurim shëndetësor dhe ato të Ligjit për lëndët e para minerale, të gjitha me procedurë të shkurtër. Për ligjet nuk pati debat, ndërsa në seancë nuk mori pjesë opozita.
 
Paraprakisht, me një minutë heshtje deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë i nderuan viktimat në sulmin terrorist në aeroportin "Kemal Ataturk" në Stamboll, ku humbën jetën 43 persona, ndërsa janë lënduar mbi 140 të tjerë.
 
SHPËTIM NUREDINI