Pastrimi i Listës Zgjedhore, BDI: Nuk fshihen votuesit shqiptarë

29.06.2016 17:06

Me kërkesë të përfaqësuesve të partive politike, KShZ për një javë do të dalë me metodologji tjetër për verifikimin e 40 mijë votuesve të konstestueshëm nga LSDM...

Me kërkesë të përfaqësuesve të partive politike, KShZ për një javë do të dalë me metodologji tjetër për verifikimin e 40 mijë votuesve të konstestueshëm nga LSDM, ndërkaq për 172 mijë votuesit tjerë të thuhet se janë brenda vendit apo në diasporë, që ata të vendosen në lista të posaçme të votimit.

Ishte ky vendimi i sotëm i KShZ-së me përfaqësues të partive politike, që për LSDM-në shikohet si përparim në drejtim të pastrimit të Listës Zgjedhore.

Damjan Mançevski thotë se nuk pritet të ketë kontrolle shtesë, por 40 mijë votuesit e kontestueshëm të fshihen nga Lista Zgjedhore në rast se nuk paraqiten personalisht.

“Absolutisht nuk bëhet fjalë për kontrolle të reja. Bazohemi në të dhënat aktuale të kontrolleve aktuale. Këta persona mbi 40 mijë do të bëhen publik, ashtu siç parashikon ligji, dhe në rast se nuk paraqiten se janë persona real, ata nuk do të evidentohen në listat zgjedhore. Sipas bindjeve tona, bëhet fjalë për kategori të qytetarëve të cilët sipas ligjit nuk duhet të jenë në Listën Zgjedhore”,- deklaroi përfaqësuesi i LSDM-së, Damjan Mançevski.

Jozyrtarisht mësohet se pjesa më e madhe e 40 mijë votuesve të kontestueshëm janë shqiptarë. Për një procedurë më transparente PDSh ka kërkuar nga KShZ të publikojë emrat e personave të kontestueshëm dhe nga cilat komuna vijnë.

Artan Grubi nga BDI thotë se metodologjia e re nuk do të përfshijë fshirje të votuesve.

“Ne kërkojmë që KShZ të propozojë një metodologji për verifikimin e këtyre votuesve. Sa i përket kategorisë tjetër prej 172 mijë votuesve, atyre nuk ju kontestohet e drejta e votës dhe gjithashtu edhe ata do të verifikohen se a janë për momentin në diasporë apo qëndrojnë në RM, por e drejta e tyre e votës nuk do të kontestohet në asnjë mënyrë”,- theksoi përfaqësuesi i BDI-së, Artan Grubi.

I mbetet KShZ-së që t’i japë propozimet konkrete se kur dhe në çfarë afati do të realizohet verifikimi i votuesve të kontestueshëm dhe cilat do të ishin afatet kohore për ankesa të qytetarëve.

KShZ në mënyrë plotësuese do të vërtetojë se a do të ketë nevojë për ndryshime në Kodin Zgjedhor, që deri në fund të rregullohet Lista Zgjedhore. (Meral Ismaili, TVM2)