Sulmet në Stamboll, kërcënim serioz për turizmin
Përveç dëmeve të parekuperueshme në njerëz, sulmet terroriste që kanë goditur së fundmi Turqinë janë duke u kthyer në një kërcënim serioz për industrinë e turizmit...

Përveç dëmeve të parekuperueshme në njerëz, sulmet terroriste që kanë goditur së fundmi Turqinë janë duke u kthyer në një kërcënim serioz për industrinë e turizmit, e cila në këtë vend gjeneron çdo vit afro 30 miliardë dollarë.
Shpërthimet goditën aeroportin e tretë me më shumë pasagjerë në Europë . Ataturk është një prej portave hyrëse më të mëdha të Turqisë si dhe një pikë mjaft e rëndësishme tranziti për miliona qytetarë.
Çdo vit më shumë se 30 milionë qytetarë vizitojnë Turqinë Dhe duket se qytetarët e huaj po tremben nga sulmet terroriste.
Kjo gjë u pasqyrua edhe në një raport zyrtar, ku nënvizohet se në pesë muajt e parë të vitit 2016, turizmi ka pësuar rënie me 23%, krahasuar me një vit më parë.
Ndikuar nga marëdhëniet e krisura mes Turqisë dhe Rusisë, numri i vizitorëve rusë ka rënë me 80%, ai i gjermanëve, britanikëve dhe amerikanëve është ulur me afro 20%.
Turqia përballet sot me dy kërcënime kryesore të cilat janë Shteti Islamik dhe militantët kurdë. Ekstremistët e ISIS qëndrojnë shumë pranë kufirit turko-sirian dhe që prej verës së vitit të shkuar kanë marrë përsipër përgjegjësinë e vrasjes së më shumë se 200 qytetarëve të pafajshëm.
Militantët kurdë kanë deklaruar se do të vijojnë të organizojnë sulme deri sa Ankaraja t’u japë autonominë në rajonin juglindor të vendit.
Dhe nga këto të dhëna duket se Turqia e ka të vështirë të përballet me terrorin, e kjo do të thotë se turizmi mund të vazhdojë pikiatën , dëmet e së cilës vështirë të riparohen.
