Maqedoni, karcinomi në qafën e mitrës shënon rritje

30.06.2016 15:48

Nga viti 2011 deri në vitin 2014 statistikat shëndetësore për të prekurit nga karcinomi në qafën e mitrës tregojnë se në Maqedoni shënon rritje...

Për këtë qëllim shoqatat që merren me këtë problematikë ngritin zërin për kujdes më të madh nga institucionet. Ata kërkojnë nga institucionet zgjerimin e masave dhe buxhetit për kontrolle të shtuara të femrave me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundje.

“Prej vitit 2011 deri në vitin 2014 shkalla e vdekshmërisë nga të prekurit në qafën e mitrës shënon rritje dhe në vitin 2014 shënon 4,1% në 100 mijë femra. Vlen të theksohet se nëse me kohë zbulohet ky lloj karcinomi nëpërmjet  PAP testeve, shërohet në më shumë se 90% të rasteve”,- deklaroi Borjan Pavllovski nga Organizata ECE.

Organizatat joqeveritare kanë kërkuar nga Kuvendi që të mos i miratojnë ndryshimet e propozuara në buxhetin për vitin 2016, i cili parashikon zvogëlimin e fondeve për kujdesin shëndetësor sidomos të gjinisë femërore.

“Me propozim-buxhetin e ri buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë zvogëlohet për 9.4 milionë euro, ku kryesisht janë zvogëluar fondet që kanë të bëjnë me buxhetin për mbrojtje preventive shëndetësore, përkatësisht 1,4 milionë euro, dhe buxheti për mbrojtje dhe kurim shëndetësor prej 3,4 milionë euro”,- tha Darko Antiq nga Organizata ECE.

Në Maqedoni shkalla e vdekshmërisë nga të prekurit me kancer në qafën e mitrës është katër herë më e madhe se në vendet e Bashkimit Europian.

Për dallim nga vendet e Unionit Europian, ku kontrollet me PAP test dhe skrining janë mbi shkallën 60%, në Maqedoni kontrollet janë shumë në nivel të ulët dhe nuk e arrijnë 5% e popullsisë nga gjinia femërore. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)