Botë
Vazhdon lufta në Falluxha, ISIS detyron fëmijët të luftojnë
30.06.2016 15:57
Azizi, 11 vjeçar, dhe Khalifi, 16 vjeçar, janë marrë me forcë nga IS-is për të shërbyer si ushtarë në Falluxha...

Pas muajsh të tërë në luftë, ata arritën të arratisen. Tani ata janë në kampin e UNICEFi-it, ku kanë filluar sërish shkollën.
UNICEF jep alarmin se që nga 2014-ta, 1.469 fëmijë janë detyruar të luftojnë kundër vullnetit të tyre.
Sipas shifrave, 50 fëmijë rrëmbehen çdo muaj dhe detyrohen të luftojnë ose abuzohen seksualisht. Rrëfimet e fëmijëve që arratisen janë të tmerrshme.
“Ata erdhën me disa kamionë. Mbi ta kishte njerëz me armë. Kishin flokë të gjata dhe mjekra… Kur na çuan në kampin e tyre, na lëshuan video se si i kapnin spiunët e më pas ua prisnin kokat me shpata. Pastaj na stërvitën që të luftojmë edhe ne”,- deklaroi 11 vjeçari, ish luftëtar i ISIS-it, Aziz.
“Ata ulërinin gjithmonë. Na thoshin se po të largoheshim do të na kapnin e do të na vrisnin. Unë isha vetëm me vëllanë tim. Qanim shumë, por na kërcënonin të pushonim. Ishim në bazën në Talafar, aty kishte shumë armë. Ata na mësuan se si të luftonim me pushkët m16 dhe me granatat. Një natë na lanë vetëm dhe ne ikëm. Kemi ecur tre ditë. Shpresoj që prindërit të jenë gjallë e të vijnë të më marrin. Shpresojmë që ne jazitët të kthehemi shpejt në shtëpitë tona”,- tha 16 vjeçari, ish luftëtar i ISIS-it, Khalaf.
Edhe 3.6 milionë fëmijë të tjerë janë në rrezik nga vdekja, lëndimet, dhuna seksuale dhe rekrutimi në grupet e ISIS-it, raporton UNICEF.
Janë 1.5 milionë fëmijë të regjistruar që janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre. Vetëm vitin e fundit, UNICEF ka siguruar kampe shkollimi dhe përkujdesjeje për 100 mijë prej tyre, por nga organizata japin alarmin se në Irak miliona fëmijë janë në rrezik.
GAZMEND KURTISHI
