Maqedoni
Zgjedhje studentore në UKM, Parlamenti studentor i konteston
30.06.2016 16:10
Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup po mbahen zgjedhjet për kryetar të Parlamentit studentor, të cilat po kontestohen nga Plenumi studentor...

Sipas Plenumit studentor, përveç që zgjedhjet janë jolegjitime, studentët në këto zgjedhje nuk mund të votojnë në mënyrë të fshehur, sepse mungon paravani, si dhe fletëvotimet sipas tyre janë fletushka të cilat nuk kanë vulë dhe as numër regjistri, por i kanë vetëm emrat e kandidatëve.
Gjithashtu nga Plenumi studentor theksojnë se në universitet janë dërguar grupe të organizuara për të votuar.
“Përgjigjen që e ka marrë Parlamenti studentor nga Komisioni zgjedhor se nuk ka paravan për t’i dhënë dhe në këtë rast është dashur për shkaqe teknike të mos mbahen zgjedhjet, sepse nuk keni si t’i siguroni gjërat elementare që studentët të votojmë në mënyrë të fshehur. Mandej, Komisioni nuk është i kompletuar si dhe kutitë e votimit janë të mbështjella për mos t’u parë se sa studentët kanë votuar, sepse nëse nuk mbushen kutitë, atëherë do të mbushen të tjerët”,- thuhet nga Plenumi studentor.
Por, ushtruesi i detyrës, kryetar i Parlamentit studentor, Kirill Spirovski, theksoi se kanë bërë kërkesë deri tek Komisioni shtetëror zgjedhor për t’i marrë paravanet, por nuk janë sjellë për studentët, si dhe ky i fundit nuk ka mundur të votojë, sepse nuk ka pasur fshehtësi të votimeve.
“Zgjedhjet janë nën kompetencat e Komisionit zgjedhor dhe për më shumë informacione rreth procesit zgjedhor duhet të drejtoheni tek Komisioni zgjedhor. Nga ana tjetër, unë sot tentova të votoj dhe në një çfarë mënyre u pengova për të realizuar të drejtën time nga ana e përfaqësuesve të Plenumit studentor. Ne kemi bërë kërkesë deri tek Komisioni shtetëror zgjedhor për të marrë paravanet, por nuk i kanë dërguar, sepse edhe unë do të doja që të respektohet fshehtësia e votimit”,- u shpreh Kirill Spirovski nga Parlamenti studentor.
Por, nga Parlamenti studentor njoftojnë se zgjedhjet e sotme për kryetar të këtij Parlamenti mbahen në mënyrë transparente dhe demokratike.
REJHANE BUSHI-METAJ
