Komiteti i Helsinkit, avokatët zyrtarë heshtin gjatë proceseve gjyqësore

30.06.2016 16:18

Komiteti i Helsinkit lëshon alarmin se në Maqedoni avokatët zyrtarë nuk e bëjnë punën e tyre, ndërkaq gjykatat angazhojnë emrat e njëjtë....

Gjatë vitit të kaluar, në 25 gjykata penale kanë qenë të angazhuar 640 avokatë. Asnjëri prej tyre nuk ka mbrojtur të akuzuarit e varfër. Më shqetësuese është fakti se avokatët zyrtarë të angazhuar në proceset e mëdha gjyqësore heshtin, pasi janë të ftuar nga Prokuroria Publike.               

“Nëse ju si prokuror publik ftoni avokat, kuptohet se ai avokat nuk do të mbrojë interesat e të akuzuarit, do të hesht dhe nuk do të veprojë në interes të të akuzuarit. Këtë e hasim në procese të mëdha të krimit të organizuar me mbi 30 të akuzuar. Kemi parë që avokatët zyrtarë heshtin gjatë gjithë procesit”,- tha këshilltari juridik në Komitetin e Helsinkit, Voisllav Stojanovski.

Nga Dhoma e Avokatëve të Maqedonisë thonë se kaosi po vazhdon, pasi që nuk janë të saktësuar raportet gjykatë-avokat zyrtar, ndërkaq nuk respektohen rregullat e përzgjedhjes së tyre.

“Në rast se i akuzuari nuk angazhon avokatin e tij, atëherë organi që realizon procesin do të duhet të caktojë avokat zyrtar nga lista e avokatëve të përpiluar nga Dhoma e Avokatëve sipas radhës. Nëse nuk respektohet radha, do të duhet të thuhen arsyet”,- deklaroi kryetari i Dhomës së Avokatëve, Nikolla Dodevski.

Përvojat në Bosnjë e Hercegovinë flasin se të akuzuarit atje mund të zgjedhin avokat zyrtar, por sipas ekspertëve të atjeshëm kjo nuk shikohet si zgjidhje ideale.

“Kjo nuk është zgjidhje ideale, pasi që në gjykata paraqiten avokatët e njëjtë, dhjetë deri në pesëmbëdhjetë. Thjesht, në Bosnjë pagesat janë të mëdha dhe mbrojtja me detyrë zyrtare është shndërruar në biznes”,- u shpreh  përfaqësuesja e Bosnjë dhe Hercegovinës, Tamara Zërnoviç.

Nga Dhoma e Avokatëve në ShBA, në drejtim të reformave të sistemit mbrojtës të të akuzuarve  rekomandojnë që angazhimi i avokatëve të jetë i drejtë, ata të kenë më shumë kohë për t’u njoftuar me rastin dhe provat që veprimi i tyre mbrojtës të jetë më i theksuar. (Meral Ismaili, TVM2)