Maqedoni
VMRO-DPME: LSDM nuk është në shërbim të zgjedhësve të saj; LSDM: Kushtetuesja të vendos për PSP-në
30.06.2016 16:55
VMRO-DPMNE i ka akuzuar deputetët e LSDM-së se po bëjnë politikë shterpe dhe se nuk janë në shërbim të zgjedhësve të tyre...

VMRO-DPMNE i ka akuzuar deputetët e LSDM-së se po bëjnë politikë shterpe dhe se nuk janë në shërbim të zgjedhësve të tyre, pasi që nuk kanë marrë pjesë në seancën plenare ku në rend dite ndodhen pyetjet e deputetëve.
Deputetët e LSDM-së janë vetëm zbatues të urdhrave që ju vijnë nga selia e partisë, thonë nga VMRO-DPMNE.
“Deputetët e LSDM-së sërish sot nuk do të marrin pjesë në seancë për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve. Deputetët e LSDM-së vendosën të jenë në shërbim deputeti vetëm të partisë së tyre, por jo edhe deputetë të qytetarëve të cilët i kanë zgjedhur. Ata vendosën që t’i ndihmojnë dhe të jenë zbatues të urdhrave dhe këshillat që ju vijnë enkas nga selia e partisë së tyre”, - deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Por, LSDM hodhi poshtë akuzat për mospjesëmarrje në seancë kushtuar pyetjeve të deputetëve, duke përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të marrin pjesë në punën e Kuvendit derisa Kushtetuesja nuk merr vendim për Prokurorinë Speciale Publike.
“Kuvendi ka kohë që e ka ndërprerë realizimin e kompetencave të tij kushtetuese për kontroll ndaj pushtetit ekzekutiv. Kuvendi nuk e kontrollon Qeverinë. Kuvendi i plotëson dëshirat e kreut të VMRO-DPMNE-së. Nuk mund të parashtrojmë pyetje deputetësh në kohën kur Gjykata Kushtetuese është aktor në matematikat e VMRO-DPMNE-së për të blerë kohë si pushtet”,- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
Gjykata Kushtetuese duhet të vendos për kushtetutshmërinë e PSP-së, pasi kjo është edhe në interes të qytetarëve, të dëmtuarve dhe të akuzuarve, tha koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së.
NAIM RAMADANI
