Maqedoni
KRE: Ulet çmimi i energjisë elektrike për 0.25%
30.06.2016 17:02
Me vendim të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i energjisë elektrike ulet për 0.25%...

Çmimi përfundimtar do të jetë 4.9777 denarë për 1 kilovat orë, por dallon në varësi prej grupeve të tarifuara. Këtë vendim KRE-ja e miratoi pasi e shqyrtoi kërkesën, që me ligj patjetër e kanë ta dorëzojnë ELEM, EVN dhe MEPSO.
“Në Komision jemi shumë të kënaqur nga ajo se si e kemi parashikuar vitin e kaluar gjatë krijimit të të ardhurave bazë për vitet 2015, 2016 dhe 2017”,- deklaroi kryetari i KRE-së, Dimitar Petrov.
Çmimi i ri i energjisë elektrike do të hyjë nga 1 korriku dhe do të do të vlejë deri në qershor të vitit 2017. Por, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë kërkon nga Komisioni Rregullator për Energjetikë që të bëjë lirimin e rrymës për 30 për qind.
“Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës patjetër të harrojë se është kryetar i KO-së së VMRO–DPMNE-së dhe të rikujtohet se Komisioni ka për detyrë t’i mbrojë interesat e qytetarëve dhe jo të familjes në pushtet, e cila u pasurua nëpërmjet ELEM-it, EVN-së dhe MEPSO-s. Komisioni ka për detyrë që të ndalojë, sepse çerdhet e parajsës, majmunët, breshkat, qendrat e skijimeve, fasadat baroke dhe të tjerat, që kushtojnë me miliona, nuk guxojnë ta caktojnë çmimin e rrymës”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Sipas socialdemokratëve, nga viti 2006 e deri më tani rryma është shtrenjtuar për 100 për qind, ndërsa porosisin se Komisioni Rregullator do të mbajë përgjegjësi nëse vazhdon t’i shërbejë pushtetit.
GYLTENE SINANI
