Prej sot çmime më të ulta në roamingun rajonal
Duke filluar që nga dita e sotme për 17,2 për qind do të jetë më i ulët çmimi për një minutë thirrje hyrëse në roaming...

Duke filluar që nga dita e sotme për 17,2 për qind do të jetë më i ulët çmimi për një minutë thirrje hyrëse në roaming midis Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Për 11,1 për qind do të ulet çmimi i SMS-it, ndërsa për 35,7 % i MB internetit. Kjo është ulja e dytë në pajtueshmëri me marrëveshjen e trupave rregullatorë të katër shteteve, që hyri në fuqi në korrik të vitit të kaluar.
Vitin e kaluar çmimi i një minute thirrje hyrëse në roaming është liruar për 73 %.
Nga sot, siç informojnë nga Agjencia për komunikime elektronike e Maqedonisë, për një minutë thirrje hyrëse do të paguhet 14,8 denarë. Për vitin e ardhshëm është paraparë ulje nga 14,8 denarë për një minutë për thirrje hyrëse në 11,7 denarë, ose për 20,2 %.
Pas uljes së vitit të kaluar të çmimit për SMS në roaming për 54,5 %, sivjet ai ulet nga 5,6 denarë në 4,9 denarë, gjegjësisht për 11,1 %.
Vitin e kaluar çmimi për 1 MB internet është liruar për 90 %, ndërsa nga sot do të jetë më i ulët për 35,7 %. Një MB internet në shitjet me pakicë në vend të 43,2 denarë do të kushtojë 27,8 denarë.
Në korrik vitin e ardhshëm, në pajtueshmëri të marrëveshjes, çmimi do të ulet në 12,3 denarë, gjegjësisht për 55,7 %.
