Një Shkëndijë bindëse ndaj Krakovia
Shkëndija ka shënuar një fitore të madhe në ndeshjen e parë eliminatore të Liga Evropa përballë polakëve të Krakovia...

Shkëndija ka shënuar një fitore të madhe në ndeshjen e parë eliminatore të Liga Evropa përballë polakëve të Krakovia, duke i mundur këta të fundit me rezultatin 2:0.
Një super paraqitje e Shkëndijës sonte që bindi me lojën e saj që nga fillimi e deri në mbyllje të ndeshjes. Të përzgjedhurit e trajnerit, Bruno Akrapoviç ishin shumë kërkues në këtë ndeshje, ndërsa në saje të një loje të tillë erdhën edhe golat e shënuar nga ana e futbollistëve “kuq e zi”, të cilët po të ishin më konkretizues para portës kundërshtare, shumë lehtë mund të ndodhte që sonte në arenën “Filipi i Dytë” të shënonin një fitore edhe më të thellë.
Golin e parë Shkëndija e realizoi në minutën e 41-të, kur mjaft mirë mes tyre kombinuan Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi pas një goditjeje dënimi, ndërsa kërçovari me një bombë të tij nga distanca, për herë të parë mposhti në këtë ndeshje portierin polak, Sandomierski.
1:0 ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa edhe në pjesën e dytë Shkëndija rrit presionin dhe kërkon golin.
Krakovia qëndron prapa, ndërkohë që në daljet përpara futbollistët e kësaj skuadre nuk kishin forcën e duhur dhe as idetë. Presioni i futbollistëve “kuq e zi” u shpërblye në minutën e 68-të, kur falë një super aksioni të tyre ku në qendër të vëmendjes ishte kapiteni Ferhan Hasani, braziliani Zhunior nga brendia e zonës shënoi edhe golin e dytë për Shkëndijën, që në fund u tregua të jetë edhe vendimtarë në këtë fitore komode të Shkëndijës që shpreson se për herë të parë në garat evropiane, do i’a arrijë qëllimit që të kalojë raundin e parë.
Një rast të tillë skuadra tetovare do të ketë pas një jave në fushën e kundërshtarit kur edhe do të zhvillojë ndeshjen e saj të 10-të jubilare në arenën ndërkombëtare. (antpress.mk)
