Futboll

Robben: Me Guardiolën pushtojmë Europën

30.03.2014 16:22

Arjen Robben kërkon që Bayerni i Mynihut të vazhdojë dominimin edhe në Europë...

Arjen Robben kërkon që Bayerni i Mynihut të vazhdojë dominimin edhe në Europë. Sipas tij, një meritë të madhe për rritjen e mëtejshme të skuadrës ka trajneri katalanas.
 
“Guardiola po na transformon në ekipin më dominues të kontinentit. Kemi bërë një hap gjigand këtë sezon sepse që nga minuta e parë ushtrojmë më shumë presion ndaj kundërshtarëve. Këtë sezon kemi një stil më sulmues pasi taktikisht Pep është një trajner shumë i fortë. Ai kërkon që ne të sulmojmë përherë hapësirat, na ka mësuar gjithashtu të vrapojmë më shumë kur jemi pa top”.    
 
Në prag të ndeshjes kundër Manchester United, sulmuesi holandez shprehet se skuadra e ka kaluar festën e titullit kampion dhe tashmë është e përqëndruar në çerekfinalen e Champions League.
 
“Tani do të ndeshemi me Manchester United në një ndeshje të madhe futbolli. Ne luajmë një futboll spektakolar dhe duam ta tregojmë këtë edhe në Champions League. Personalisht, unë do të jap maksimumin në këtë sfidë. E fituam titullin vetëm një javë më parë dhe askush nuk flet më për këtë sepse e kemi ditur kohë më parë që kampionati ishte në dorën tonë”.
 
Bayerni i Mynihut do ta luajë çerekfinalen e parë të UEFA Champions League kundër Manchester United të martën në stadiumin “Old Trafford”.