Intervenim policor në zgjedhjet studentore në UKM
Zgjedhjet për kryetar të Parlamentit studentor të mbajtura ditën e djeshme...

Zgjedhjet për kryetar të Parlamentit studentor të mbajtura ditën e djeshme, të cilat ishin të kontestuara nga Plenumi studentor si jolegjitime, kanë përfunduar mëngjesin e sotëm me kryetar të ri, ku nuk ka munguar as intervenimi policor.
Davor Popovski u zgjodh kryetar edhe pse kishte shumë kontradikta rreth procesit zgjedhor.
Mbrëmë gjithashtu është vërejtur prani e madhe e policisë speciale dhe forcave për shpërndarje të shpejtë të cilët nuk e penguan zgjedhjen e kryetarit të ri.
Nga Parlamenti studentor në UKM thonë se procesi ka shkuar sipas rregullit dhe kanë kritikuar, siç thonë ata, skandalizimin e situatës nga studentë të motivuar politikisht.
Sipas Plenumit studentor, përveç që zgjedhjet janë jolegjitime, studentët nuk kanë mundur të votojnë në mënyrë të fshehur, sepse mungon paravani si dhe fletëvotimet.
Sipas tyre, janë fletushka apo fletëpalosjet të cilat nuk kanë vulë dhe as numër regjistri, por vetëm emrat e kandidatëve. Nga Plenumi studentor theksojnë se në universitet janë dërguar grupe të organizuara për të votuar.
