Orav: “Përzhina”, rruga e vetme drejt BE-së
Implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës mbetet rruga e vetme për daljen e vendit nga kriza politike...

Implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës mbetet rruga e vetme për daljen e vendit nga kriza politike. BE është e shqetësuar për situatën politike në vend dhe për faktin se nuk është shënuar progres në realizimin e “Përzhinës”.
Kështu deklaroi euroambasadori, Aivo Orav. Ai siguroi ndihmën e BE-së në nevojën e lidershipit politik në vend për dialog të hapur për zgjidhjen e krizës.
“Partitë politike duhet patjetër të arrijnë pajtueshmëri në rrugën e implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës të vitit 2015, duke përfshirë krijimin e kushteve për zgjedhje kredibile. Kaloi më shumë se një muaj që kur parlamenti u konvokua. Për fat të keq, nuk pamë shumë progres në adresimin e krizës së thellë politike në të cilën gjendet vendi”,- deklaroi euroambasadori, Aivo Orav.
Shqetësuese për BE-në mbetet edhe sundimi i ligjit, implementimi i reformave prioritare urgjente, si dhe mbarëvajtja e punës së PSP-së.
“Mbetemi të shqetësuar për sfidat me të cilat ballafaqohet PSP në punën e saj. Ftojmë të gjitha trupat, veçanërisht palët të cilat janë dakorduar të themelohet Prokuroria Speciale Publike, të ndalen së penguari dhe në vend të kësaj t’a përkrahin në mënyrë të plotë punën e saj”- tha euroambasadori, Aivo Orav.
Demokracia përforcohet përmes angazhimit të të gjitha institucioneve për sigurimin e funksionimit të demokracisë dhe kontrollit. Zgjidhja e krizës sa më shpejt që është e mundur është në interes të vendit, sidomos në rrugën e saj euroatlanitike, përfundon euroambasadori, Aivo Orav. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
