Turqi, vritet “truri” i atentatit të 27 shkurtit

01.07.2016 14:05

Teksa po zhvillohen hetime intensive për sulmet e së martës në Stamboll...

Teksa po zhvillohen hetime intensive për sulmet e së martës në Stamboll, forcat speciale turke kanë vrarë “trurin” e një atentati të mëparshëm në Ankara.

Sulmi ndodhi më 27 shkurt të këtij viti dhe la të vdekur 29 persona. Përgjegjës u bë Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe kishte në shënjestër një bazë të personelit ushtarak.

Për këtë, autoritetet turke thonë se kanë vrarë shtetasin, Mehmet Sirin Kaya, në Lice, provincë e Dijarbakir, e banuar kryesisht nga kurdët. Lajmin e bëri të ditur një zyrtar i lartë policor në kushte anonimati. Turqia akoma nuk e ka marrë veten nga sulmet në aeroportin e Stambollit, që lanë pas 44 persona të vdekur dhe 239 të tjerë të plagosur.

Ende asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa i dyshuar mbetet i ashtuquajturi “Shteti Islamik”. Tre terroristët janë nga Uzbekistani dhe Kirgistani si dhe nga Rusia, ndërsa nuk janë dhënë detaje të tjera rreth identitetit të tyre. Turqia, ndërkohë, po sfidon hapur BE-në dhe nuk mendon të ndryshojë ligjet e saj antiterror, duke thënë se sulmi terrorist në aeroportin e Stambollit tregon qartë se qëndrimi i ashpër ndaj këtij fenomeni është rruga e duhur. 

"Turqia po lufton sot kundër terrorizmit. Kërkesat e reja ndaj Turqisë do të inkurajojnë terroristët. Prandaj ne nuk mund të bëjmë asnjë ndryshim në ligjet tona antiterror”,- tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Bashkimi Evropian e ka lidhur ndryshimin e ligjeve turke antiterror me progresin e vendit drejt unionit, por në këtë drejtim nuk është shënuar asnjë progres.

Zyrtarë turq thanë se Turqia do të jetë një aset i rëndësishëm për BE-në, por theksuan se Evropa duhet t’ia nisë nga fillimi dhe ka nevojë për një vizion të ri që të përfshijë edhe Turqinë. (Leunora Kaliqi, TVM2)