Tiranë, vidhen 1 milionë euro në mes të ditës, policia: S’është faji ynë, por i firmës së sigurisë
Siguria aeroportuale në Shqipëri është në nivele mjaft alarmante. Tre persona kanë arritur të grabisin 995 mijë euro në një furgon në brendësi të aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë...

Firma koncesionare, e cila merret me sigurinë e këtij aeroporti, nuk ka vepruar edhe pse policia e ka njoftuar herë pas here për mangësitë, çka ka sjellë edhe grabitjen spektakolare, pikërisht aty ku supozohet se niveli i sigurisë është mjaft i lartë.
“Policia e shtetit është e angazhuar për të garantuar siguri maksimale të qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, ashtu siç do të kërkojë në vazhdimësi shtimin e masave të sigurisë nga të gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë brenda aeroportit dhe çdo mjedisi tjetër”,- deklaroi Policia e Tiranës, Ervin Hodaj.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, e cilësoi grabitjen e djeshme si dëshmi të rrënimit të sigurisë në Shqipëri.
“Pa bashkëpunimin e një shefi të madh asnjë grabitës nuk do të mund të bënte atë që ndodhi dje. Gjendja është katastrofike. Në kohën kur alarmi për terrorizmin është në kulmin e vet dhe kur të gjithë shtetet kanë marrë masa mbrojtëse, në kontrast të plotë në vendin tonë ka rënë çdo standard i sigurisë. Është e kotë që dikush nga klani Rama-Tahiri të mbajë përgjegjësi për ngjarjen, pasi kjo dyshe është zhveshur tashmë nga çdo normë e ndërgjegje morale”,- tha kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.
Tre grabitësit kanë mundur të marrin rreth 1 milionë euro në mes të ditës, të armatosur dhe të veshur me uniformën e firmës koncesionare që ruan mjediset e aeroportit. Deri tani janë shoqëruar dhjetëra persona, por asnjë nuk është i arrestuar. (Luljeta Ndoka, TVM2)
