Importi i veturave, prej sot vetëm me standard Euro 4

01.07.2016 15:23

Prej sot nuk mund të importohen automjete më të vjetra se 10 vjet....

Prej sot nuk mund të importohen automjete më të vjetra se 10 vjet. Në Maqedoni filluan të zbatohen risitë me importin e automjeteve të huaja me Euro 4 standard...

Shitësit e automjeteve në Shkup, për TVM-2 thonë se zbatimi i këtij ligji europian në përgjithësi është i mirë dhe do të kontribuojë në mbrojtjen e ambientit jetësor, por nga ana tjetër ata druajnë se kjo do t’ua ulë shitjen e veturave. Shitësit tani më nuk kanë opsion tjetër përveçse t’i furnizojnë depot e tyre me vetura më të reja.    

“Normal se me këtë shitja e veturave pak do të ulet, sepse më nuk do të kemi mundësi të importojmë vetura më të vjetra se 10 vjet. Çmimi i këtyre veturave nuk mendoj se do të ndryshojë në të ardhmen, sepse vlerësoj se ata persona të cilët merren me importin e automjeteve, tashmë do të fokusohen për vetura më të reja se 10 vjet”,- tha pronari i depos së veturave, Bashkim Musliu.

Qytetarët e anketuar nga ana tjetër thonë se kjo risi i ka vendosur ata në vështirësi për të blerë veturë në të ardhmen.    

“Po varet, për dikë është mirë për dikë jo. Kjo risi është e mirë për ekologjinë, të jetë qyteti sa më i pastër, por nga ana tjetër njerëzit që nuk kanë të holla e kanë shumë vështirë të blejnë vetura të reja në të ardhmen”,- tha një qytetar.

“Për ekologjinë kjo gjë është shumë e mirë, por për ne jo. Unë personalisht për vete kam dëshirë të blej veturë të re, veturën e kam më të vjetër se 10 vjet, por unë nuk kam mundësi të blej një veturë të tillë, pasi që nuk kam të holla. Mendoj se shteti duhet gjetur mënyra se si të na mundësojë të blejmë vetura të reja”,- u shpreh një qytetar.

Sipas të dhënave të Drejtorisë Doganore të Maqedonisë, në katër muajt e parë të vitit janë importuar 9.500 automjete, që është pothuajse dy herë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Importi i automjeteve të vjetra u liberalizua në vitin 2010. (Rexhep Qamili, TVM2)