Maqedoni
Raporti i DASh: Maqedonia, burim dhe destinacion trafikimi
01.07.2016 15:40
Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër tregtisë me njerëz, Maqedonia është radhitur një vend më poshtë...

Me krizën e migrantëve, Departamenti i Shtetit të ShBA-ve vlerëson se Maqedonia është burim, vend transit dhe destinacion për burra, gra dhe fëmijë të cilët bëhen cak i tregtisë me njerëz ose punës së detyruar.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë nuk i plotëson në tërësi standardet minimale për eliminimin e tregtisë me njerëz, por bënë orvatje të mëdha që t’i plotësojë. Fluksi i refugjatëve dhe emigrantëve ka paraqitur presion serioz ndaj resurseve të Qeverisë dhe kapaciteteve të saja që t’i mbrojë viktimat dhe ta pengojë tregtinë me njerëz”,- shkruan në raportin e publikuar të enjten.
Në raport është theksuar se gjatë vitit 2015, Maqedonia e ka ndryshuar ligjin me qëllim që t’u mundësojë emigrantëve, të cilët kalojnë përmes Greqisë që ta vazhdojnë rrugën e tyre.
Por, me ashpërsimin e kontrolleve kufitare në veri të Maqedonisë, me çka autoritetet e Maqedonisë duhej të vendosnin ndalesë për kalim të personave që nuk janë shtetas të Sirisë, Irakut dhe Afganistanit, Departamenti i Shtetit ka vërejtur rritje të numrit të kontrabandave me njerëz në Maqedoni.
Gjatë vitit 2015 janë identifikuar 94 viktima potenciale të tregtisë me njerëz mes grupeve të emigrantëve. Përveç krizës së emigrantëve, raporti vlerëson se fëmijët, veçanërisht të bashkësisë rome, edhe më tej janë viktima të punës së detyrueshme dhe të keqpërdorimit seksual përmes martesave të detyrueshme.
Raporti i përvitshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit i vlerëson të gjitha shtetet e botës, ndërsa ato i ndan në tri kategori. Deri në krizën e emigratëve, Maqedonia ishte radhitur në grupin Tier 1, ndërsa tani është e radhitur në Tier 2.
Në kategorinë e dytë ndodhen edhe vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.
NAIM RAMADANI
