Maqedoni
Transporti publik, makinë e re për personat me aftësi të kufizuara
01.07.2016 15:59
Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me transportin publik promovuan sot makinën e re për personat me aftësi të kufizuara...

Sipas kompetentëve, kjo makinë erdhi si nevojë për shkak të rritjes së numrit të shfrytëzuesve të personave me pengesa të mëdha fizike.
“Makina e re për persona me aftësi të kufizuara të rënda, do t’u mundësojë lëvizje më të madhe nëpër qytet këtyre personave, që të mund të shkojnë aty ku kanë nevojë, qoftë për në mjek apo në ndonjë vend tjetër”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
“Transporti me këtë makinë realizohet në bazë të thirrjeve telefonike dhe bëhet orar për vozitje. Transporti caktohet gjatë ditëve të punës, ndërsa për planifikim më të mirë preferohet që të caktohet një ditë më parë. Caktimi i transportit bëhet nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 15 në telefonin pa pagesë: 080 015 115”,- tha drejtori i transportit publik, Igor Janushev.
Kjo është hera e katërt që kur qyteti i Shkupit adapton modele të transportit për persona me nevoja të veçanta, për të cilët ndan edhe mjete të caktuara buxhetore.
Për nevojat e transportit do të angazhohen 8 vozitës dhe një dispeçer. Në ditë do të realizohen rreth 40 udhëtime, ose 1 200 udhëtime në muaj.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
