Maqedoni
Bejli: Zgjidhni krizën, jeni një vend kaq i bukur
01.07.2016 17:11
Zgjidhja e krizës politike në Maqedoni do të duhet të arrihet nëpërmjet sundimit të së drejtës dhe përforcimit të institucioneve, ashtu siç parashikon Marrëveshja e Përzhinës...

Porosia vjen nga ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli, në fjalimin e tij me rastin e shënimit të 240 vjetorit të pavarësisë së shtetit amerikan.
Bejli tha se ShBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë në përpjekjet e saj eurointegruese, ashtu siç kanë vepruar deri më tani pa përjashtuar begatitë e vendit.
“Këtu në Shkup punuam që t’i ndihmojmë Maqedonisë të lëvizë përpara drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Kjo përfshin trajnimet tona të përbashkëta të ushtrive tona. Kjo nënkupton punën për zgjidhjen e krizës politike nëpërmjet përforcimit të sundimit të së drejtës dhe institucioneve demokratike, ashtu siç është thënë edhe në Marrëveshjen e Përzhinës. Kjo pikë e fundit ka dominuar në lajmet, por ne gjithashtu e dimë se Maqedonia është më shumë nga ajo që shkruhet në titujt e lajmeve. Maqedonia është populli i saj, trashëgimia, bukuritë natyrore të malit Sharr e deri në liqenin e Dojranit, nga liqeni i Ohrit dhe Prespës e deri në Osogovë. Ta dimë dhe kuptojmë Maqedoninë do të duhet të ngremë shikimin nga preokupimet tona ditore dhe t’a çmojmë këtë bukuri që na rrethon, ato male... Jam i bekuar t’a bëjë këtë për çdo ditë nga këto hapësira.”- deklaroi ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
ShBA-të, sipas ambasadorit Bejli, e shohin Maqedoninë si vend mike, me të cilën kanë shtrirë bashkëpunimet në më shumë fusha.
MERAL ISMAILI
