Maqedoni

LSDM kërkon dorëheqjen e Qeverisë, Spasovski: Pushteti falsifikoi zgjedhjet në UShKM

01.07.2016 17:24

Opozita maqedonase akuzon pushtetin për falsifikim të zgjedhjeve studentore në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe dënon ndërhyrjen e policisë për...

Opozita maqedonase akuzon pushtetin për falsifikim të zgjedhjeve studentore në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe dënon ndërhyrjen e policisë për, siç thonë, pengimin e së drejtës elementare të studentëve për zgjedhje të lira. LSDM kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov. 
 
“Përgjegjësi për keqpërdorim të policisë speciale duhet të mbajnë të gjithë të involvuarit. Mitko Çavkov duhet menjëherë të ikë nga pozicioni ministër për punë të brendshme, së bashku me qeverinë jolegjitime dhe joligjore të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Dhuna mbi studentët është realizim i qëllimit të Nikolla Gruevskit për të përplasur popull me popull. Ky është realizim i kërcënimeve të Gjorge Ivanovit për shfrytëzimin e forcave të sigurisë mbi qytetarët e vet, mbi studentët”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Sipas Spasovskit, ngjarja me zgjedhjet në Universitet dëshmon mungesën e kapacitetit demokratik të VMRO-DPMNE-së, e cila sipas LSDM-së bën çmos që në Maqedoni të mos krijohen kushte për zgjidhjen e krizës politike.
 
“A ka zgjidhje për krizën në periudhën që vjen?! Ka, vetëm nëse ka vullnet politik. Vullnetin politik duhet t’a kenë VMRO-DPMNE dhe BDI. Ata të cilët vazhdimisht i obstruojnë të gjitha bisedimet ose ata që vazhdimisht punojnë për të shkatërruar çdo marrëveshje që arrihet mes partive politike”,- tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Sipas opozitës, kriza mund të kalohet shumë shpejtë nëse palët tregojnë vullnet politik për të mënjanuar të gjitha mospërputhjet në Listën Zgjedhore, nëse zbatohen reformat në media dhe nëse krijohet mundësi për formimin e qeverisë teknike.
 
Opozita mbështet protestën e paralajmëruar nga studentët, madje i ftoi qytetarët që t’i bashkëngjiten, pasi e konsideron si protestë plotësisht të arsyeshme. 
 
SHPËTIM NUREDINI