Ekonomi

Prezantimi i portit të Durrësit, alternativë e mirë për afaristët nga Maqedonia

01.07.2016 17:34

Bllokimi i portit të Selanikut ka bërë që kompanitë e Maqedonisë të gjejnë alternative të tjera. Një prej alternativave më të mira është porti i Durrësit...

Pozita gjeografike e portit, hapësira e tij, mundësitë e përpunimit të anijeve janë disa nga favoret e portit të Durrësit, u potencua gjatë prezantimit të portit të Durrësit para biznesmenëve të Maqedonisë.
 
“Kemi bllokim të funksionimit të portit të Selanik, për atë kompanitë patjetër duhet të gjejnë alternativa tjera për rrjedhën normale të proceseve të tyre ekonomike dhe të dërgimit të mallrave në kohë të duhur”,- deklaroi Biljana Peeva Gjuriç nga Oda Ekonomike.
 
Autoritet e portit të Durrësit thanë se veç më kanë punuar intensivisht për të bërë portin e Durrësit si një prej porteve kryesore të rajonit. Ndërsa gjithashtu janë në shqyrtim të një projekti për ndërtimin e një porti të thatë në Librazhd ose Linë, për t’ua bërë më të lehtë transportin kompanive të Maqedonisë.  
 
“Ne kemi tre projekte të mëdha, kemi projektin e thellimit të bazenit të portit dhe kanalit hyrës të portit, kemi projektin e lidhjes së portit me hekurudhën, si dhe jemi duke parë si specialistët maqedonas do të na japin mendimin e tyre për të krijuar një port të thatë ose në Librazhd ose në Linë, që kompanitë maqedonase mos të jenë të detyruara të vinë deri në portin e Durrësit, por të vinë deri në Linë ose Librazhd, aty ku specialistët do të thonë se është më e përshtatshme”,- tha menaxhuesi i portit të Durrësit, Gazmend Shalsi. 
 
Për të bërë portin e Durrësit si më të përshtatshëm është investuar edhe në infrastrukturën rrugore, edhe pse si pikë ngecjeje mbetet infrastruktura hekurudhore, por autoritetet nga Shqipëria thanë se rrjeti hekurudhor, që pritet të ndërtohet, do të plotësojë hapësirën boshe dhe do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë. 
 
ERSAN PAJAZITI