Bangladesh, 20 civil të vrarë nga ISIS
20 civilë të vrarë, 13 të liruar, 6 terroristë të vdekur e një i kapur i gjallë, është bilanci tragjik i pengmarrjes që që tronditi kryeqytetin e Bangladeshit, Daka...

Skena e dramës që risolli hijen e terrorit në vend u bë bar-restoranti Holey Artisan Bakery, ku trupat qeveritare nuk arritën të hyjnë veçse pas 12 orëve. Përgjegjësinë e sulmit e mori përsipër grupi të cilit po i faturohen thuajse të gjitha episodet e fundit të kësaj natyre në vende të ndryshme të botës, Shteti Islamik. Një pjesë e pengjeve ishin nga Japonia dhe Sri Lanka.
Mësymja e restorantit nisi kur klientët po mblidheshin për të thyer agjërimin e mbajtur në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Sheikh Hasina, kryeministri i Bangladeshit, tha: “Është një akt ekstremisht i urryer. Çfarë lloj myslimanësh mund të jenë këta njerëz? Ata nuk kanë fe! Qeveria ime është e vendosur ta çrrënjosë terrorizmin dhe militantizmin nga Bangladeshi”.Gazeta vendase “Daily Star” pretendon se agresorët torturuan të gjithë ata që nuk ishin në gjendje të citonin vargje nga Kurani.
Pengmarrësit nga ana tjetër nuk janë sjellë keq me qytetarët nga Bangladeshi, të cilëve dhe u kanë dhënë për të ngrënë gjatë natës.
