Maqedoni

Pastrimi i Listës Zjedhore, KSHZ harton metodologjinë e re; Në maj, fshihen 1608 votues, shënohen 28 të rinj

03.07.2016 18:16

Pas takimit të së mërkurës me përfaqësuesit e partive politike, grupi punues i KSHZ-së...

Pas takimit të së mërkurës me përfaqësuesit e partive politike, grupi punues i KSHZ-së ka filluar punën për hartimin e metodologjisë për pastrimin e Listës Zgjedhore.
 
Burime brenda KSHZ-së, njoftojnë se ky institucion veçmë u ka dorëzuar subjekteve politike një propozim, të cilin partitë pritet ta paraqesin ditën e mërkurë, më gjashtë korrik.
 
Edhepse propozimi është i KSHZ-së, askush nga ky trup nuk jep detaje rreth propozim/metodologjisë.
 
“Cila është zgjidhja që ofrohet për 40 mijë votuesit e kontesueshëm nga opozita dhe 172 mijë votuesit e diasporës, do ta zbulojnë subjektet politike, javën që vjen.”-thonë nga KSHZ.
 
Sipas opozitës maqedonase, mbi 40 mijë votues që janë në Listën Zgjedhore nuk i plotësojnë kushtet ligjore dhe duhet të fshihen.
 
Ndërkaq, 172 mijë votues të tjerë që ndodhen me qëndrim të përkohshëm jashtë vendi kërkon që të shënohen me yll, në një shtojcë të Listës Zgjedhore.
 
Gjatë përditësimit të Listës Zgjedhore, KSHZ në muajin Maj ka fshirë nga regjistri zgjedhor 1608 votues, prej të cilëve 1573 të vdekur, 26 persona të paaftë për punë dhe 9 persona të tjerë që kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Maqedonisë. Gjatë këtij muaji janë shënuar vetëm 28 votues të rinj.  
 
Pas anulimit të zgjedhjeve të parakohëshme, KSHZ-së iu shkurtua buxheti për organizimin e zgjedhjeve dhe ky trup aktualisht është koncentruar vetëm në pastrimin e Listës zgjedhore. 
 
Nga 8.7 milion euro që iu ndanë me buxhetin e këtij viti, shtatë milionë iu tërhoqën me rishikimin e buxhetit.
 
“Nga ky buxhet janë tërhequr të gjithë mjetet e parapara për organizim të zgjedhjeve. Kanë mbetur vetëm 23 mijë euro ndoshta për funksionimin e aktiviteteve që duhet të ndërmarrë KSHZ-ja për pastrim të listës”, sqaroi, pak ditë më pare, anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
 
SHPËTIM NUREDINI