Botë

Mbretëresha britanike Elizabeth, apel politikanëve mos u nxitoni!

03.07.2016 18:51

Mbretëresha britanike Elizabeth vlerëson se udhëheqësit politikë duhet t’i japin kohë vetes për të menduar...

Mbretëresha britanike Elizabeth vlerëson se udhëheqësit politikë duhet t’i japin kohë vetes për të menduar se cilat do të duhet të jenë hapat e ardhshëm për të përballuar sfidat në botën pas referendumit britanik për shkëputje nga BE.

Këto vlerësime mbretëresha britanike  i bëri duke folur në sesionin e hapjes së Parlamentit të Skocisë, edhe pse nuk iu referua drejtpërdrejt votës së “Brexit”.

Nisur nga pozicioni i veçantë si sovrane, Mbretëresha e Anglisë asnjëherë nuk prononcohet për çështje të nxehta të politikës kombëtare dhe vendime të marra nga përfaqësuesit e zgjedhur.

Kjo ishte arsyeja që Pallati Mbretëror reagoi ashpër ndaj lajmit të një gazete angleze në prag të referendumit, sipas të cilit kjo gazetë pretendonte se ishte në dijeni të mendimit të Mbretëreshës për çështjen e referendumit.

Fjalimi dhe mesazhi i Mbretëreshës në Skoci mendohet se ka për shqetësim, pikërisht dëshirën e përsëritur nga politikanët më të lartë të Skocisë për një referendum të dytë për ndarjen nga Mbretëria e Bashkuar, i cili është kërkuar pas votës për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, pasi shumica e votuesve në Skoci mbështetën qëndrimin e mëtejshëm në BE.