Sulmi në Irak, rritet numri i viktimave, shpallen tre ditë zie

04.07.2016 12:34

Numri i të vdekurve nga sulmet vetëvrasëse të së shtunës në Bagdad ka shkuar në 213, raportojnë agjencitë e huaja te lajmeve...

Midis viktimave janë 25 fëmijë dhe 20 gra. Iraku i ka filluar tre ditët e zisë pas sulmit me bombë.

Njoftimi për ditët e zisë erdhi nga vetë kryeministri irakian, Haidar al Abadi, pas vizitës qe ia ka bërë vendit ku ka ndodhur sulmi.

Ai gjithashtu i ka urdhëruar zyrtarët që ta hetojnë në tërësi incidentin për t’u siguruar që të gjithë personat përgjegjës për sulmin të dënohen.

Përgjegjësinë për sulmin e djeshëm me veturë bombë në qarkun Karrada e ka marrë grupi terrorist, “Shteti Islamik”.

Një pjesëtar i Forcave irakiane të sigurisë i cituar nga AFP ka thënë se duhen disa ditë për të nxjerrë të gjithë trupat e pajetë nga vendi ku është kryer sulmi.

Një bombë tjetër është shpërthyer ditën e djeshme në zonën veriore të Bagdadit, duke vrarë pesë persona të tjerë.

Shtëpia e Bardhë i ka dënuar sulmet, duke thënë se ato vetëm sa e forcojnë përkushtimin amerikan për ta luftuar ISIS-in.