Maqedoni

Kryqi i Kuq i RM-së, 80 pako me ushqim për nevojtarët

04.07.2016 14:58

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit ndau 80 pako me ushqim dhe mjete higjienike...

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit ndau 80 pako me ushqim dhe mjete higjienike për persona të moshuar dhe për familjet që janë në gjendje të vështirë ekonomike në Komunën e Sarajit. 
 
“Personat që do t’i marrin pakot me ushqim janë të përzgjedhur nga vullnetarët që janë aktiv në këtë qendër. Bëhet fjalë për 80 familje që janë në gjendje të rëndë sociale, familje që i përkasin etniteteve shqiptare dhe maqedonase me qëllim të bashkëjetesës, tolerancës mes këtyre dy popujve, që është edhe qëllimi i Kryqit të Kuq të RM-së”,- deklaroi Aleksandra Ristovski nga Kryqi i Kuq i RM-së. 
 
“Kemi këtu paketa për ushqim dhe për higjienë për të gjitha familjet. Shumica janë në gjendje të rëndë dhe kanë nevojë për këtë ndihmë”,- tha vullnetari në Kryqin e Kuq, Samet Alimi.
 
“Për hir të Ramazanit na kanë dhuruar, që të jenë të kënaqur popullata… Falënderoj Zotin mirë, do të kemi për ditën e Bajramit, por i lutem Zotit edhe të tjerët të kenë”,- theksoi banori i fshatit Çajlanë, Vesel Shabani.
 
“Falënderoj për përkrahjen nga Kryqi i Kuq. Shfrytëzoj rastin tua uroj festën e Bajramit. Unë jam pensioner burri dhe fëmijët nuk më punojnë”,- u shpreh Vesna Nicevska nga Saraji.
 
Ky aktivitet është në kornizat e servisit social “Qendra ditore për persona  në moshë dhe qendra për dhënien e ndihmës në kushte shtëpiake”, që është e mbështetur nga Qyteti i Shkupit, kompania “Dauti”, Kryqi i Kuq i Austrisë dhe EVN-Maqedonia.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI