Mbledhje në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Komisioni do të zbardhë incidentin e zgjedhjeve studentore

04.07.2016 15:48

Rektorati i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” ka vendosur që nëpërmjet komisionit të zbardh...

Rektorati i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” ka vendosur që nëpërmjet komisionit të zbardh incidentet për zgjedhjen e kryetarit të Unionit të studentëve.

Vendimi u mor në seancën e jashtëzakonshme midis udhëheqësisë së universitetit me studentët. Komisioni në përbërje prej pesë anëtarëve do të shqyrtojë të gjitha materialet dhe dëshmitë e votimit të liderit të ri studentor, të cilat u dënuan dhe u cilësuan si skandaloze.

“Lus Plenumin e studentëve dhe Parlamentin studentor që në mënyrë konstruktive, pa prolonguar mbledhjet dhe pa tendenca të tjera që nuk kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemit, të kyçen në punën e Komisionit”,- deklaroi rektori i Universitetit “Shën Kirili Dhe Metodi”, Velimir Stojkovski.

Nga Plenumi studentor konsiderojnë se nuk është koha për formimin e komisioneve. Ata kërkuan që universiteti të veprojë menjëherë, pasi që kanë qenë të malltretuar.

“Formimi i çfarëdo komisioni vetëm se do të rëndojë punën e Komisionit për ndryshimin e statutit, vetëm do ta thellojë problemin. Ne nga ky universitet kërkojmë të dënohet dhuna, nuk kërkojmë të bëhen hetime”,- tha përfaqësuesja e Plenumit Studentor, Ivana Tufekxhiq.

Edhe nga Parlamenti studentor ankohen për dhunë të ushtruar ndaj tyre. Kërkuan takime me udhëheqësinë e rektoratit që edhe ata të prezantojnë videot që kanë.

“Unë isha atje, kjo shihet edhe në kamera se si na kanë rrahur, më kanë kërcënuar nëpërmjet telefonit, është ushtruar presion psikologjik. Kërkojmë nga ju rektor që të gjendet mënyrë se si të dëgjohen të dyja palët,”- theksoi kryetari i Parlamentit studentor, Kirill Spirovski.

Dekanët thonë se përshkallëzim të situatës gjatë përzgjedhjes së kryetarit të Unionit të studentëve ka pasur edhe më herët. Disa kërkuan që të mbahen zgjedhje të ndihmuara nga vetë dekanët. (Meral Ismaili, TVM2)