Botë
Shqipëri, skandali i grabitjes së 1 milionë eurove
04.07.2016 16:04
Pasi skandali i përgjimeve u shua, një tjetër skandal po zë vendin kryesor në debatet politike...

Siguria zero e aeroportit të Rinasit është bërë shkak për përplasje verbale në Komisionin e sigurisë, ku ka spikatur përfaqësuesi i LSI-së, Luan Rama, i cili e cilësoi skandal. Ai kërkoi mbledhjen e Këshillit të sigurisë kombëtare dhe reagimin e presidentit dhe kryeministrit për këtë ngjarje. Ndërsa deputetët e tjerë preferuan ta lënë Prokurorinë të hetojë.
Ndërkohë, vijon “ping-pongu” i përgjegjësive të institucioneve. Përfaqësuesja e Aeroportit “Nënë Tereza” tha se e ka lajmëruar në kohë policinë dhe se ajo ishte pak metra larg grabitjes. Por, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cilësoi të çuditshme deklaratat.
Më 30 qershor, në Aeroportin e Rinasit u grabitën rreth 1 milionë euro në hundën e policisë dhe rojeve private të kompanisë që ka marrë me koncesion sigurinë e këtij aeroporti. Ende nuk ka asnjë gjurmë të grabitësve dhe parave, por vetëm deklarata e akuza mes politikanësh.
LULJETA NDOKA
