Samiti i Parisit: Integrimi i të gjitha vendeve ballkanike në BE
Migracioni dhe refugjatët, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit, si dhe....

Migracioni dhe refugjatët, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit, si dhe perspektivat evropiane janë tri temat kryesore që zunë vend në Samitin e Parisit, i cili njëherit takoi kryeministrat e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, krahas shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, si Franca, Gjermania, Italia dhe Austria dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.
Delegacioni i Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri, Emil Dimitriev, ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, si dhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vladimir Peshevski, me këtë rast kanë zhvilluar takime bilaterale me pjesëmarrës nga sfera e financave, ku kanë biseduar për zhvillim ekonomik dhe përforcimin e klimës së biznesit në Maqedoni. Procesi i Berlinit duhet të ndihmojë në përmbushjen e qëllimit përfundimtar, respektivisht integrimin e të gjitha vendeve ballkanike në BE.
Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Sebastijan Kurc, në një deklaratë për Agjencinë e lajmeve MIA ka thënë se nga konferenca në Paris pret që Maqedonisë t’i jepet mirënjohje për mbrojtje të kufirit me Greqinë dhe të ripërtërihen garancitë për eurointegrimet e Maqedonisë.
“Maqedonia tani më bën gjithçka që është në fuqinë e saj për ta mbrojtur kufirin e saj me Greqinë dhe ta pengojë fluksin e migrantëve të paligjshëm. Ne lartë i vlerësojmë këto përpjekje. Gjithashtu duhet të vazhdojmë edhe të sigurojmë Maqedoni kredibile, perspektive ndaj Bashkimit Evropian dhe t’a nxitim të ndërmarrë reforma të mëtutjeshme politike dhe ekonomike”,- ka deklaruar ministri austriak, Kurc.
Takimi i Berlinit ka shërbyer edhe për diskutime në fushën e infrastrukturës, energjetikës dhe transportit, që pritet t’a përforcojë lidhjen me BE-në.
Kryeministrat e vendeve ballkanike kanë dhënë firmën e tyre për marrëveshjen për themelimin e zyrës rajonale për bashkëpunim të të rinjve në fushën e arsimit, punësimit, përfaqësimin e tyre në procesin demokratik, bashkëpunimin në media dhe në lirinë e të shprehurit.
Konferenca e Parisit për Ballkanin Perëndimor po mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, takimi i tretë ky pas Berlinit dhe Vjenës, ndërsa pas këtij të Parisit, Samiti do t’i vazhdojë punimet në qytetin e Romës. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
