Botë

Sulmi terrorist në Bangladesh, identifikohen pesë nga agresorët

04.07.2016 16:35

Autoritetet e Bangladeshit kanë identifikuar pesë nga agresorët, të cilët ndërmorën të premten një prej sulmeve më të rënda terroriste në vend...

Siç mësohet, ata ishin të njohur për policinë. Tre prej agresorëve ishin nën 22 vjeç, gjashtë nga autorët e sulmit u vranë në mësymjen e policisë në bar restorant “Holey Artisan”, në lagjen diplomatike të Gulshanit.

Një person i shtatë u arrestua dhe po merret ende në pyetje nga policia. Ende nuk është e qartë se çfarë roli kishte ai në sulm.

Plot 20 pengje, shumica prej të cilëve të huaj, u vranë kur militantët islamikë mësynë një bar restorant në kryeqytetin e vendit, Dhaka.

Gjithashtu mbeten të vrarë edhe dy policë, ndërsa 30 të tjerë u plagosën. Pas rrethimit prej 12 orësh, forcat e sigurisë sulmuan lokalin, duke shpëtuar 13 persona.

I ashtuquajturi “Shteti Islamik” pretendon se qëndron pas ngjarjes, por qeveria e përgënjeshtron këtë. Sipas ministrit të Brendshëm të Bangladeshit, agresorët i përkisnin grupit militant lokal “Xhamaejtul Muxhahedin Bangladesh”, i ndaluar prej më shumë se një dekadë në vend. Ai thotë se grupi nuk ka lidhje me “Shtetin Islamik”.