Maqedoni
Ligji i mediave konfronton opozitën dhe pushtetin
04.07.2016 17:38
Propozim ligji i ri për reklamim qeveritar ka përplasur pushtetin dhe opozitën...

Sipas LSDM-së opozitare, ky propozim ligj nuk është pjesë e marrëveshjes mes partive politike dhe cenon rëndë pavarësinë e mediave.
“Unë vlerësoj se kjo nuk është produkt i ndonjë marrëveshjeje ose bisedimesh, por është vendim i njëanshëm i partisë në pushtet, e cila mundohet edhe më tutje t’i mbajë peng mediat. Më fjalë të tjera, me para të qytetarëve të financohen fushata reklamuese. Sikur mediat në politikën e tyre redaktuese nuk dinë se çdo të thotë interes i qytetarëve për informim të drejtë dhe objektiv”,- deklaroi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE presin që propozimi të hapë debat të gjerë dhe përmes debatit të sillet një vendim cilësor.
“Ky është ligj si pjesë e reformave urgjente prioritare. E kaluam në qeveri dhe presim që të ketë debat të gjerë për këtë. Sa jam unë i informuar, bëhet fjalë për ligj që në mënyrë të detajuar rregullon çështjen që deri tani nuk ka qenë e rregulluar në Maqedoni dhe presim që përmes debatit të dalë një vendim ligjor cilësor që do të pranohet në parlament”,- tha Nikolla Todorov nga VMDO-DPMNE.
Propozim ligji në fjalë ka hyrë në procedurë parlamentare dhe pritet të shqyrtohet, edhe pse opozita vazhdon bojkotin e saj.
Në propozim parashihet që nga buxheti i shtetit të ndahen mbi 100 mijë euro, duke mos precizuar shumën.
Prej tyre, më së paku 75% do të jenë të parapara për televizionet dhe radiot, kurse pjesa tjetër, varësisht nevojës së fushatës, për mediat e shkruara dhe ato elektronike.
ERSAN PAJAZITI
