Maqedoni
ITShKSh dhe AShA, akademi solemne për Pavarësinë e ShBA-ve
04.07.2016 18:00
Amerika është aleati më i rëndësishëm në të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për liri...

Amerika është aleati më i rëndësishëm në të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar, andaj shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj ShBA-ve, u tha gjatë Akademisë solemne të organizuar me rastin e 4 korrikut, pavarësisë së ShBA-ve, nga Akademia shqiptare amerikane. Integrimi i Shqipërisë në NATO, Pavarësia e Kosovës si dhe shumë çështje tjera janë arritur me ndihmë të ShBA-ve, andaj 4 korriku duhet që të manifestohet edhe në trojet shqiptare, thanë historianët.
“Ne shqiptarët u jemi mirënjohës shtetit dhe kombit amerikan për zërin e ngritur për gjatë të gjitha kthesave gjatë historisë në mbrojtjen e qenies sonë, u jemi mirënjohës për jetë jetëve, për mbrojtjen e të drejtave tona të nëpërkëmbura në të gjitha forumet ndërkombëtare ku është vendosur fati i kombeve dhe shteteve”,- deklaroi kryetari i Akademisë shqiptare amerikane, Abdulla Memeti.
“Kthesa e madhe historike ndodhi pas luftës së Kosovës, gjegjësisht në vitin 1999, ku aleati yni, ShBA-të, me NATO-n dhe me BE-në intervenuan përkrah popullit shqiptar dhe ai intervenim rezultoi me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, me krijimin e shtetit të Kosovës dhe me avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Kjo kthesë historike nuk kishte ardhur pa një përkrahje të ShBA-ve”,- tha drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani.
“Gjithandej ku jetojnë shqiptarët, një vend të veçantë gjithmonë duhet të zë respekti dhe falënderimi për ShBA-të dhe popullin amerikan, që ky respekt dhe falënderim të bëhet më kuptimplotë. Shqiptarët duhet që edhe datën 4 korrik ta evidentojnë në kalendarin e tyre manifestiv”,- theksoi historiani, Nebi Dervishi.
Gjithashtu, në Akademinë solemne u recitua edhe fjalimi i Martin Luther King “I have a dream”, (“Unë kam një ëndërr”).
BELINDA KOKA ADEMI
