Botë

Fitër Bajrami në Kosovë, Tërnava dënon ekstremizmin

05.07.2016 15:08

Fitër Bajrami u kremtua edhe në Kosovë. Miftyu i Kosovës Naim Tërnava pas faljes së namazit të Bajrammit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë...

Fitër Bajrami u kremtua edhe në Kosovë. Miftyu i Kosovës Naim Tërnava pas faljes së namazit të Bajrammit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë përcolli mesazhin se islami ka të bëjë me dashurinë, mëshirën e paqen, dhe çdo krim në emër të fesë është i pafalshëm”.
 
“Çdo sulm me prapavijë fetare i kryer nga kushdo qoftë ndaj njerëzve të pafajshëm direkt dëmton fenë në të cilën thirret krimineli. Feja islame urdhëron në dashuri, mëshirë e paqe mes njerëzve, terrori është e kundërta e fesë islame, mësimeve të saja, është mizori e cila qon në gjakderdhje të njerëzve të pafajshëm duke përfshirë të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësinë dhe paqen”, shprehet miftyu i Kosovës Naim Tërnava. 
 
Për herë të parë, 17 vjet pas luftës, namazi i Fiter Bajramit është falur edhe nga banorët shqiptarë në veri të Kosovës. Mbi 200 besimtarë u mblodhën në sheshin Adem Jashari në “lagjen e boshnjakëve”.
 
Falja u zhvillua nën masa të shtuara të sigurisë, ku përveç pjesëtarëve të policisë së rajonit të veriut, ka pasur edhe pjesëtarë të KFOR-it, si dhe karabinierë italianë.
 
Myftiu Tërnava priti sot krerët politik të vendit, të cilët përcollën urimet për të gjithë qytetarët dhe përçuan mesazhin e forcimit të harmonisë ndërfetare në vend.
 
Fiter Bajramit shënon mbylljen e muajit te shenjtë të Ramazanit që në Islam njihet si muaji i përkushtimit ndaj Allahut.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI