Maqedoni

Halimi u prezantua në Kondovë

31.03.2014 18:24

Partia demokratike shqiptare, fushatën për promovimin e kandidatit presidencial, e vazhdoi para banorëve të Kondovës...

Partia demokratike shqiptare, fushatën për promovimin e kandidatit presidencial, e vazhdoi  para banorëve të Kondovës.
 
Kandidati për president, Iljaz Halimi, para të pranishmëve në këtë tubim, tha se ndjehet i nderuar për këtë kandidaturë presidenciale, duke e konsideruar këtë njëkohësisht edhe si përgjegjësi dhe barrë mbi supe. Kemi hyrë në një rrugë jo aq të lehtë, në të cilën kemi disa pengesa, ju të gjithë jeni dëshmitarë se oponenti ynë politik ka dalë me fushatë duke kërkuar që shqiptaret të rrinë nëpër shtëpitë e tyre ditën e votimit.
 
Shqiptarët nuk janë ata të vitit 2001, sot jemi në vitin 2014 dhe ata janë të vetëdijshëm, janë të formuar politikisht, kombëtarisht dhe moralisht edhe në aspekt të ngritjes intelektuale dhe e dinë se si duhet vepruar në ditën e 13 prillit, në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve për president shteti. Unë jam i vetmi kandidat shqiptar, që kandidoj me tre kandidat maqedonas dhe ky është një rast historik për shqiptarët, që ta bashkojnë votën, theksoi Halimi. Ai mes tjerash, tha se është rasti i vetëm që pas 100 viteve të kemi kandidat të vetëm për  president shteti mysliman pas perandorisë osmane, andaj gjithsesi kjo kandidaturë duhet të mbështetet masovikisht nga shqiptarët, turqit,boshnjakët, romët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë.                                                                                                                                        
“Gjithsesi duhet të mbështetet kandidati i vetëm shqiptar, pasi vetëm pas 100 viteve kemi kandidat mysliman për kryetar shteti, pra vetëm kur ka qenë perandoria turke këtu, kur ka pas kryetar mysliman, pas 100 viteve prapë të vetmin kandidat tani e kemi dhe është shans dhe mundësi që t’i bashkojmë votat shqiptarët, turqit romët, boshnjakët, por edhe të tjerët që vlerësojnë se mund në mënyrë dinjitoze t’i përfaqëson interesat e qytetarëve, ky kandidat për kryetar shteti. Pra ai e kishte fjalën për mua dhe natyrisht ekzistonte një eufori te të gjithë ata qytetarë që ishin të pranishëm në atë mbledhje. Unë mendoj që këtë fushatë që e zhvillon BDI-ja e kanë gabim, për arsye se kundër bojkotit doli edhe këshilli i Evropës edhe Bashkimi Evropian, poashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të thotë se ata përkrahin pjesëmarrjen në zgjedhje, që t’ju mundësojë qytetarëve në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe pa pengesa, të përcaktohen për njërin prej kandidatëve për kryetar shteti. Unë ju apeloj që me 13 prill, në mënyrë sa më masovike, të dilni dhe ta kryeni obligimin qytetar kombëtar, që të votoni për mua me 27 prill, për PDSH-në dhe ju garantoj që pas 27 prillit punët do të ndryshojnë si nata me ditë dhe shqiptarët do ta marrin të parin urim dhe sukses”, deklaroi kandidati për president nga PDSH, Iljaz Halimi.
 
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, para të pranishmëve në këtë tubim, u shpreh se Maqedonia nuk mund të jetë shtet monoetnik vetëm i maqedonasve. Maqedonia është shtet i shqiptarëve dhe shtet i myslimanëve dhe ky duhet të jetë mesazhi i vërtetë që duhet të përcillet, theksoi Thaçi. Ai mes tjerash, shtoi se kërkesat e shqiptarëve janë shumë të qarta, shqiptarët kërkojnë integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, andaj nuk duhet të ekzistojnë shumë polemika rreth përcaktimit strategjik të shqiptarëve, por Ahmeti dhe Gruevski duhet të vendosin se cilat modele të sistemeve qeverisëse do të përzgjedhin për Maqedoninë, atë të Zvicrës, Belgjikës, Kanadasë apo të ndonjë shteti tjetër, pasi  është shumë e qartë se Maqedonia nuk mund të ekziston si shtet i vetëm i një etniteti.        
                                                                         
“Maqedonia po, do të jetë shtet, është shtet i shqiptarëve dhe shtet i myslimanëve, ky duhet të jetë mesazhi i vërtetë të cilin duhet ta përcjellim. Cili është përcaktimi dhe programi ynë, disa herë e kemi bërë të ditur, po këto oponentët tanë politik nuk dinë çka të flasin, thonë se ne nuk kemi ofertë, oferta është shumë e qartë, e drejtpërdrejtë, pa i pru në pozitë të keqe që të gjunjëzohen, nuk bisedojmë për të drejtat tona, fitorja e Iljaz Halimit i bjen në situatë që të detyrohen të flasin me ne”, theksoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Të pranishmëve në këtë tubim, iu drejtua edhe anëtari i strukturës së kryesisë së lartë të PDSH-së, Bekim Fazliu, i cili u shpreh se si asnjëherë më parë shqiptarët kanë shansin historik ta përkrahin kandidatin e vetëm shqiptar dhe mysliman në këto zgjedhje, Iljaz Halimin. Sipas tij, është obligim i gjithë trupit votues shqiptar, që të bashkohet pranë kandidaturës së Halimit. Shfrytëzoj rastin që prej në Kondovë t’i apeloj Bashkësisë Fetare Islame, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame dhe të gjithë hoxhallarëve, dilni publikisht përkrahni kandidaturën e Iljaz Halimit. Poashtu ai i fton të gjithë shqiptarët, të gjithë myslimanët, të dalin ta përkrahin këtë kandidaturë, sepse sipas Fazliut, e kanë edhe obligim moral edhe borxh ndaj Partisë Demokratike Shqiptare. Ai njëherit shtoi se shqiptarët për 10 vite Bashkimit Demokratik për Integrim i kanë dhënë 10 miliard euro për çdo vit.
 
Nga buxheti i shtetit mblidhen 1 miliard euro dhe këto mjete të BDI-së të marra nga shqiptarët, janë shpenzuar në “Shkupi 2014”, për 6 vite deputet dhe ministrat e BDI-së kanë votuar “pro” 500 milion eurove për “Shkupin 2014”.
 
BDI njëkohësisht ka ndarë qindra milion euro për infrastrukturë në Maqedoninë Lindore, ndërsa për Gostivarin e Zajazin, e për Sarajin janë ndarë nga 0 denarë, thekson Falziu. Sipas tij, këto janë vetëm disa fakte të qeverisjes së BDI-së dhe tani është koha për mobilizim total dhe të flasim edhe me vëllezërit tanë të tjerë, të cilët janë mashtruar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, të bashkohen rreth platformës së Partisë Demokratike Shqiptare, sepse kjo platformë garanton ndarje të drejtë të pjesës së buxhetit dhe trajtim të barabartë të shqiptarëve dhe maqedonasve në vendimmarrje dhe në jetën e përditshme, deklaroi Bekim Fazliu. 
 
Në këtë tubim, fjalim përshëndetës mbajti edhe Muhamet Thaçi, i cili theksoi se Partia Demokratike Shqiptare është simbol i qëndresës kombëtare, para banorëve të Kondovës ai theksoi se Kondova ka qenë dhe vazhdon të jetë kalaja e PDSH-së. Aq më shumë sa afrohet dita e zgjedhjeve, aq më shumë rritet frika e BDI-së, ata janë në hall me zgjedhjet presidenciale, nuk dinë se çfarë të bëjnë, u shpreh Muhamed Thaçi. (Zejxhane Osmani, TVM2)