Botë

Mesazhi i Papa Françeskut: Mjaft më me vende që flasin për paqe e shesin armë!

06.07.2016 13:22

Me një video-mesazh të fortë, Papa Françesku ka mbështetur fushatën e “Caritas Internationalis” për vendosjen e Paqes në Siri...

“Më trishton shumë zemrën lufta në Siri, e cila ka hyrë në vitin e saj të pestë”, shprehet në këtë video Papa Françesku, ku viktimë e kësaj lufte është populli sirian i detyruar të mbijetojë mes bombave e luftës apo të braktisë shtëpi e gjithçka.
 
Fjalët e Papa Fançeskut janë një apel i fortë ndaj të gjithë atyre vendeve që furnizojnë me armë e shpenzojnë para për tregimin e armëve, por  që njëkohësisht flasin e proklamojnë për paqen në botë.
 
“E ndërsa populli vuan, sasi të pabesueshme parash shpenzohen për t’i furnizuar luftuesit me armë. E disa nga vendet furnizuese të këtyre armëve janë edhe ndërmjet atyre që flasin për paqen. E si mund t’i besosh atij, që me dorën e djathtë të ledhaton e me të majtën të godet?”
 
Sipas Papa Françeskut, të gjithë duhet ta pranojnë se nuk ka rrugëzgjidhje ushtarake për Sirinë. Ka vetëm rrugë politike, prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet t’i mbështesë bisedimet për paqen, drejt krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar.  
 
“Duhet t’i bashkojmë forcat në të gjitha nivelet”, thotë Ati i Shenjtë, për të bërë që të arrihet paqja aq e dëshiruar në Sirinë e dashur. “Ky, do të jetë një shembull vigan mëshire e dashurie, i jetuar për të mirën e mbarë bashkësisë ndërkombëtare”.
 
GAZMEND REXHEPI