Maqedoni
KSHZ refuzoi 639 fletëparaqitje nga Pusteci
31.03.2014 18:31
KSHZ ka refuzuar 639 fletëparaqitje të banorëve të Pustecit, të cilët janë paraqitur për votim në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë...

KSHZ ka refuzuar 639 fletëparaqitje të banorëve të Pustecit, të cilët janë paraqitur për votim në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë. Këtë e konfirmoi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
“Të gjitha këto fletëparaqitje kishin mangësi që ne t’i regjistrojmë si votues në Tiranë, për shkak se pasaportat biometrike që janë të dhëna nga ministria përgjegjëse e Maqedonisë në vendin e vendbanimit, është shkruar se ato me vendbanim janë në Shqipëri. Prandaj morëm vendim që 639 fletëparaqitje të cilat janë paraqitur të votojnë në Tiranë për zgjedhjet parlamentare, i refuzuam”, deklaroi zëvendëskryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
KSHZ, kohë më parë, më pas edhe Gjykata Administrative, hodhën poshtë ankesën e BDI-së për 453 votues fiktiv, të cilët ishin paraqitur për të votuar në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë. Jakupi gjithashtu informoi se në seancën e sotme të KSHZ-së, janë miratuar disa nga listat e kandidatëve për deputet, të cilët i kanë plotësuar kushtet ligjore.
“I miratuam dhe i shqyrtuam të gjitha, ato të cilat i plotësuan kushtet veç më i miratuam, me kusht që presim të dhëna nga Komisioni për Verifikimin e Fakteve, ku ata deri sot nuk na i dërguan të dhënat për të gjithë kandidaturat për të cilat ne i kemi dorëzuar dhe me siguri që pas tyre do të jenë të plotfuqishme dhe mund të garojnë”, shtoi Jakupi.
Jakupi gjithashtu informoi se deri më tani kanë përpunuar 13720 fletëparaqitje nga diaspora, prej atyre 10400 janë në njësinë zgjedhore numër shtatë, 2300 në njësinë zgjedhore numër 8 dhe 1041 ne njësinë zgjedhore numër 9, ndërkaq presin edhe të dhëna të tjera nga përfaqësitë konsulare diplomatike dhe fletëparaqitje të tjera të cilat akoma nuk kanë arritur t’i shqyrtojnë. (Florije Kamberi, TVM2)
