Incidenti në ShBA, amerikani me ngjyrë qëllohet nga policia

06.07.2016 13:45

Një video e përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale...

Një video e përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shfaqet një oficer policie teksa qëllon për vdekje një shtetas amerikan me ngjyrë, ka shkaktuar protesta masive për shkak të rasteve të përsëritura të këtij lloji.

Në materialin filmik dallohen qartë dy oficerë policie teksa neutralizojnë të idenfitikuarin si Alton Sterling si dhe momenti kur qëllojnë të paktën pesë herë mbi të.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në shtetin e Louisianës. Zyrtarët e policisë deklaruan se dy oficerë i ishin përgjigjur një denoncimi ku thuhej se një person i veshur me ngjyrë të kuqe kishte kërcënuar me armë disa persona pranë një bari.

Pasi mbërritën në vendin e ngjarjes, policët janë konfrontuar me të dyshuarin, dhe në bazë të dëshmitarëve i kanë rrëmbyer armën që ai posedonte.

Disa qindra qytetarë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke vendosur lule dhe qirinj në nder të viktimës, ndërkohë që shumë të tjerë kanë zgjedhur protestën për të kundërshtuar veprimin fatal të Policisë.