Maqedoni

Saraj, investime kapitale

06.07.2016 15:57

Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, i shoqëruar nga kreu i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, dhe ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti...

Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, i shoqëruar nga kreu i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, dhe ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti, lëshuan në përdorim rrugën e re të asfaltuar në këtë vendbanim.
 
Rruga e asfaltuar është me gjatësi prej 600 metrash dhe e njëjta është realizuar në bashkëpunim mes Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Sarajit.
 
Me këtë rast kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, tha se investimet infrastrukturore kapitale, që do të përmirësojnë jetën e banorëve të kësaj komune, do të vazhdojnë të realizohen edhe në të ardhmen.
                                                                                                               
“Vlen të përmendet investimi i përbashkët, i cili u realizua para disa muajve në vendbanimin Shishovë. Projektet e përbashkëta të cilat do të realizohen në këtë vit janë: rekonstruimi dhe zgjerimi i rrugës kryesore që kalon përmes vendbanimit Gllumovë deri në qendrën rekreative Matkë, pastaj rekonstruimi i tërësishëm i rrugës kryesore në Saraj si dhe rekonstruimi dhe meremetimi i rrugicës në vendbanimin Rashçë”,- deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
                                                                                            
“Mjetet financiare janë të siguruara nga buxheti i Qytetit të Shkupit për ndihmën e komunave. Gjatësia e kësaj rruge është 600 metra, ndërsa gjerësia 5 metra, që i bie se është i vendosur rreth 3 mijë metra katrorë asfalt të ri”,- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. 
 
“E falënderojmë kryetarin e Qytetit të Shkupit për angazhimin e tij për ndarjen sa më transparente të mjeteve buxhetore në të gjitha komunat e Qytetit, dhe gjithashtu inkurajoj bashkëpunimin mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Sarajit dhe shpresoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje”,- tha ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti.
 
Rekonstriumi i rrugës nr. 5 në Saraj kap vlerën prej 3 milion denarëve. 
 
REXHEP QAMILI