Botë
Samiti i Varshavës, diskutohet kriza dhe raportet NATO-Rusi
06.07.2016 16:09
Kriza e Lindjes, kriza me refugjatët, misioni i NATO-s në Afganistan, si dhe qasja e vendeve anëtare të NATO-s...

Kriza e Lindjes, kriza me refugjatët, misioni i NATO-s në Afganistan, si dhe qasja e vendeve anëtare të NATO-s në raport me Rusinë do të jenë temat kyçe në samitin dyditor në Varshavë, ku pritet të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të NATO-s, vendeve aspirate, si dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.
Megjithëse zgjerimi nuk do të jetë temë kryesore në Samit, vendeve aspirate duhet patjetër t’ju jepet sinjal për zgjerim apo rekomandime të veçanta, vlerëson kryetari i Këshillit Atlantik në Uashington, Frederik Kemp. Sipas tij, dyert e NATO-s për zgjerim mbeten të hapura, që njëherit paraqet një nga objektivat kryesore të kësaj organizate për siguri dhe stabilitet.
“Çështja e zgjerimit dhe vizioni për tërë Evropën e lirë mbetet e hapur. NATO i hap dyert këtë vit për Malin e Zi, zgjerimi i parë pas Kroacisë dhe Shqipërisë. Po çka do të ndodh me vendet tjera aspirate? Për këtë çështje pritet përgjigje nga samiti”,- deklaroi kryetari i Këshillit Atlantik në Uashington, Frederik Kemp.
Nga një faqe zyrtare të NATO-s për marrëdhënie me publikun thonë se Samiti i Varshavës vjen pikërisht kur definohet sigurimi dhe ardhmëria e NATO-s, kur kërcënimet nga terrorizmi bëjnë të pasigurt këtë organizatë transatlantike si dhe ardhmërinë e saj.
Ndërkaq, kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Samitin e nesërm dhe pasnesërm në Varshavë, për shkak, siç sqarojnë nga kabineti i tij, injorimit të së drejtës ndërkombëtare, respektivisht të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që, sipas tij, nuk respektohet nga Pakti Veriatlantik.
Maqedonia në Samit do të përfaqësohet në nivel ministrash, nga ai i Mbrojtjes dhe ministri për Punë të Brendshme.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
