Maqedoni

Mjekët: Gjatë verës shtohen sulmet kardiovaskulare

06.07.2016 17:02

Në periudhën e verës, me temperaturat e larta rritet edhe numri i të sëmurëve me sëmundje kardiovaskulare, thotë kardiologu, Naser Qafjani...

Ai i këshillon pacientët që të kenë kujdes më tepër për shëndetin e tyre gjatë kësaj stine, të bëjnë vizita më të shpeshta në mjek, largimin e punëve të rënda fizike, sidomos personat e moshuar. 
 
“Numri i të sëmurëve kardiovaskular në këto periudha të verës, si pasojë e nxehtit, shtohet, rritet normal. Edhe në pranverë rritet numri i të sëmurëve nga infarkti, se fillojnë punët nëpër ara, punët fizike të cilat janë si katalizatorë përshpejtues të proceseve të zemrës, po normal te të sëmurët që kanë sëmundje kronike isemike të zemrës e jo te ndonjë i shëndoshë. Muajin e kaluar dhe këtë muaj kemi pasur shumë raste me infarkte akute të zemrës”,- deklaroi kardiologu, Naser Qafjani.
 
Mjekët rekomandojnë që në këto ditë të nxehta personat që kanë sëmundje kronike, qoftë ato kardiovaskulare, respiratore apo sëmundje tjera, mos të dalin jashtë prej orës 11 deri në 17.
 
Të pinë sa më tepër lëngje, sidomos ujë, t’i largohen ushqimeve të yndyrshme, të konsumojnë më tepër pemë dhe perime, dhe t’i shmangen konsumimit të alkoolit dhe duhanit.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI