Maqedoni
Konferenca “Rrjeti rajonal i shtetit të së drejtës”, avokatët: Nuk kemi të drejta minimale për gjykim të drejtë
06.07.2016 17:25
Avokatë të shumtë nga vendi dhe rajoni, pjesëmarrës në konferencën "Reforma ligjdhënëse procedurale", reagojnë se nuk kanë të drejta minimale për gjykime të drejta...

Nga 10 problemet më të shpeshta me të cilat ballafaqohen avokatët e vendit dhe të rajonit është mospjesëmarrja e palës mbrojtëse pas hapjes së dëshmive.
Sipas tyre, kjo duhet sa më shpejt të korrigjohet që qytetarëve t’u mundësohet e drejta e mbrojtjes.
“Nuk mund të kryeni hetim ndërsa pala mbrojtëse mos të dijë asgjë. Bile ai as që e din se po zhvillohet hetim, por edhe kur e kuptojnë se ka hetim, atij nuk i jepet e drejta që t’i shohë dëshmitë që janë grumbulluar kundër të akuzuarit. Ose të kryhet ekspertizë dhe nga mediat të dëgjoni se për atë lëndë penale është kryer ekspertizë, ndërsa pala mbrojtëse asgjë s’din, sepse nuk është njoftuar për këtë”,- deklaroi kryetari i Dhomës së Avokatëve në Maqedoni, Nikolla Dodevski.
“Ajo që paraqitet si problem te të gjitha këto pesë shtete janë mungesa e qasjes së lirë të palës mbrojtëse tek dëshmitë dhe ekspertizat e grumbulluara për të akuzuarin, si dhe respektimi i të drejtave të qytetarëve”- tha drejtoresha e programit "Sundimi i së drejtës në Ballkan", Elizabet Givens.
“Gjyqtarët që fshihen pas shkeljes formale të ligjit, nuk janë gjyqtarë që mbajnë llogari për të drejtën, por janë gjyqtarë që respektojnë vetëm mënyrën e cila asnjëherë nuk do të sjellë një aktvendim të mirë, një vendim i cili do të kënaqë drejtësinë”,- theksoi kryetari i Dhomës së Avokatëve në Serbi, Dragolub Gjorgjeviç.
Avokatët nga rajoni kërkojnë ndryshim urgjent në procedurën e mbrojtjes së avokatëve, ata vlerësojnë se raporti i përgatitur në projektin "Reforma ligjdhënëse procedurale" është udhërrëfyes se si të realizohen të drejtat e avokatëve.
Konferenca e sotme u organizua nga ana e Odës së Avokatëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës.
SANIJE DURAKU
