Maqedoni
Shkurtimi i IPA fondeve, Ademi: Partitë të zgjidhin krizën
06.07.2016 17:43
Shkurtimi i IPA fondeve në vlerë prej 27 milionë euro nuk do ta shpërqendrojë Maqedoninë në angazhimet e saj eurointegruese...

Kështu është shprehur zëvendësministri për çështje europiane, Arbër Ademi, i cili fton partitë politike, nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës, që të angazhohen maksimalisht në zgjidhjen e krizës politike, nga e cila varet ardhmëria e vendit dhe qytetarëve.
“Për skaj të kësaj, ne mbetemi maksimalisht të përkushtuar dhe të angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mjetet të cilat janë ndarë dhe të cilat i kemi në dispozicion. Kuptohet, me këtë rast ju bëj thirrje edhe të gjithë participientëve në dialogun politik, që në mënyrë serioze, konstruktive dhe të përgjithshme të sillen ndaj krizës politike në vend, të gjejnë një zgjidhje e cila është e gjithpranushme, e qëndrueshme, zgjidhje e cila është në përputhje, në pritshmëri të qytetarëve dhe në pritshmëri të partnerëve tanë ndërkombëtarë”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
Sipas Ademit, shkurtimet e fondeve evropiane përfshijnë sektorë të interesit shoqëror. Edhe përkundër kësaj, Ademi thotë se bashkëpunimi ynë me faktorin ndërkombëtar do të vazhdojë.
“Ne kemi marrë deri tash njoftim për shkurtim të mjeteve në pjesën me menaxhimin me financat publike dhe në sektorin e konkurrencës dhe inovacionit . Megjithatë, edhe përkundër kësaj, të gjitha masat të cilat përcaktohen nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të cilët kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës politikë në vend janë të mirëseardhur dhe besoj edhe më tutje në vijim do ta ruajmë komunikimin tonë të vazhdueshëm vetëm e vetëm ta sigurojmë realizimin e qëllimit në anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi.
Maqedonia është vendi i parë që i shkurtohen IPA fondet. Brukseli zyrtar bën të ditur se si pasojë e zbatimit të reformave, një kohë më të gjatë ka shpjerë në shkurtimin e fondeve.
REJHAN BUSHI-METAJ
