Maqedoni

Kuvendi miratoi Llogarinë përfundimtare

06.07.2016 17:52

Kuvendi miratoi Llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2015...

Sipas shumicës parlamentare, Llogaria përfundimtare është pasqyra më e mirë për planifikimin dhe zbatimin e politikave ekonomike.
 
“Thënë në gjuhën e popullit, Llogaria përfundimtare për vitin 2015 është si pasqyra e gjakut të një sporti me norma olimpike”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukovski.
 
Mirëpo LSDM, e cila e bojkoton punën e Kuvendit, nuk e mbështeti llogarinë përfundimtare për vitin 2015. Sipas deputetit të LSDM-së, Hari Lokvenec, kjo llogari është një dëshmi tjetër për planifikimin dhe realizimin e keq të politikave fiskale dhe ekonomike të pushtetit.
 
“Edhe me këtë buxhet, njësoj si me të gjitha buxhetet e tjera nga 2008 e këtej, qeveria i ngarkoi me borxh qytetarët dhe ekonominë për 320 milionë euro të tjera”,- tha Hari Llokvenec nga LSDM.
 
Sipas Lokvenec, borxhi publik është shtuar për afër 2 miliardë euro.
 
Në ndërkohë, partia në pushtet ftoi opozitën që t’i kthehet punës së kuvendit në debatin e nesërm, në Komision për propozimin e rebalancit të buxhetit. Kërsto Mukovski tha se pavarësisht shkurtimeve për investime kapitale, ka më shumë para sesa vitin e kaluar. 
 
“Shuma e investimeve zvogëlohet për 3 miliardë denarë, por në shuma absolute të vitit 2015, kemi rritje për 3 miliardë e 898 milionë denarë”,- deklaroi Kërsto Mukovski nga VMRO-DPMNE, duke mohuar edhe informacionet për thellimin e vrimës buxhetore në Fondin për sigurim pensionial. 
 
SHPËTIM NUREDINI