Maqedoni
Orav takohet me Hajndëll, nuk ka gjëra pozitive për t’u paraqitur sot
06.07.2016 18:21
Nuk ka shumë gjëra pozitive për t’u raportuar, tha ambasadori europian në vend, Aivo Orav, pas takimit që pati me lehtësuesin gjerman në bisedime, Johanes Hajndëll...

Megjithatë, mbetet optimist se vizita e Hajndëllit do të ndikojë kah e mira dhe beson se gjatë ditës së nesërme do të ketë takim mes katër partive politike.
“Shpresoj që kjo vizitë e sotme do të ndikojë mbi zhvillimin e ngjarjeve. Javën e kaluar unë dhe ambasadorët e vendeve tjera të BE-së dhamë deklaratë dhe kjo nuk ishte vetëm sa të japim deklaratë. Duam t’i nxisim të gjithë palët të arrijnë marrëveshje për sa i përket Marrëveshjes së Përzhinës, për fat të keq nuk ka shumë gjëra pozitive për t’u paraqitur sot. Shpresoj që nesër do të ketë takim të Grupit të punës të katër partive politike dhe ndoshta do të bëhet ndonjë hap para”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
Orav nuk ka dashur të komentojë përmbajtjen e bisedës ndërpartiake, por vetëm theksoi se roli i bashkësisë ndërkombëtare është të mblidhen të gjitha partitë së bashku dhe t’u ndihmohet ta përparojnë procesin.
Vizita e Hajndëllit në Shkup i paraprinë ardhjes së diplomates amerikane, Viktoria Nulland, pas disa ditësh.
Pritet që Nulland të shtojë presionet ndaj aktorëve politik të vendit për daljen nga kriza politike.
Brukseli kërkon implementimin e plotë të vërejtjeve nga raporti i PRIBE-së – departizim të administratës, media të lira dhe reforma në gjyqësor.
Gjithashtu kërkojnë zbatim të Marrëveshjes së Përzhinës dhe respektim të plotë të Prokurorisë Speciale Publike.
BELINDA KOKA ADEMI
